Kina sulmon SHBA-në: Interneti, një pretekst

17/02/2011 15:45

Kina paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të mos përdorin pretekstin e lirisë së internetit, për të ndërhyrë në punët e brendshme të Pekinit.

Komentet e Ministrit të Jashtëm Kinez mbërritën pasi Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, lajmëroi për një nismë që do të lejojë disidentët në të gjithë botën që t’i shmangen kontrollit të autoriteteve.

Deklarata e Zonjës Clinton është fshirë nga të gjitha faqet apo forumet e ndryshme kineze, madje edhe deklarata e shfaqur në faqen e internetit të Ambasadës Amerikane në Pekin janë fshirë.

Ambasadori amerikan në Kinë, Jon Huntsman, shprehu pakënaqësinë e tij në një notë zyrtare, por Ministri i Jashtëm Kinez, Ma Zhaoxu, reagoi duke thënë se të gjithë shtetasit e vendit të tij gëzojnë liri të plotë të internetit, në përputhje me ligjet e vendit.

Ai shtoi se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me cilindo shtet rreth kësaj çështje, por “është kundër përdorimit të lirisë së internetit si një pretekst për të ndërhyrë në punët e brendshme të një shteti tjetër”.

Një vit më parë, Kina akuzoi Uashingtonin për një “imperializëm informacioni”. Me 457 milion përdorues, Kina është shteti që gëzon tregun më të gjerë informatik në botë.

Top Channel