Ish-lideri algjerian: President, largohu

17/02/2011 15:25

Ish-drejtuesi i partisë qeverisëse në Algjeri i bëri një thirrje presidentit të tanishëm që të japë dorëheqjen dhe të lejojë zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që vendi të mos vuajë pasojat e rënda të revolucioneve të dhunshme të shteteve fqinje.

Abdelhamit Mehri, i konsideruar si një prej baballarëve të kombit për rolin e tij në fitimin e pavarësisë nga Franca, deklaroi se ndryshime radikale janë të domosdoshme, ndërsa vendi përgatitet për 50-vjetorin e pavarësisë së tij.

Në një letër të adresuar ndaj presidentit Abdulaziz Bouteflika, 84-vjeçari shkruante: “Zërat që po bëjnë thirrje për ndërrime paqësore të sistemit janë të shumta. Ky ndryshim nuk mund të shtyhet më shumë.

Është e rëndësishme që jetët e njerëzve të kursehen dhe revolucioni të mos bëhet me dhunë, si në Tunizi dhe Egjipt. Revolta popullore mund të shmanget vetëm nëpërmjet shpalljes së një tranzicioni paqësor drejt një qeverie të re”.

Ndërkohë, Kryeministri Algjerian, Ahmed Ouyahia, lajmëroi për heqjen e gjendjes së emergjencës pas 19 vitesh në fundin e muajit.

Top Channel