Bizneset: Pullat e reja fiskale rrisin evazionin

17/02/2011 08:00

Ministria e Financave kërkon të vendosë një sistem të ri për pullat fiskale, me qëllim të që të luftojë evazionin fiskal, kontrabandën dhe të rrisë të ardhurat në buxhet.

Plani i ri parashikon vendosjen e pullave me kod sigurie te mallrat e luksit, si duhan dhe pije alkoolike, përfshi edhe ilaçet, duke ia dhënë të drejtën një shoqërie private, për 10 vjet, kundrejt çmimit 2 për qind, mbi të ardhurat që do të realizohen nga shitja e pullave.

Po subjektet e këtij sektori, pasi kanë analizuar tregun dhe ligjin “Për akcizat”, tashmë të ndryshuar, bashkë me kontratën, kanë dalë me konkluzionin se, me sistemin e propozuar, qeveria vështirë të realizojë objektivat.

Me anë të një letre drejtuar ministrit të Financave, përmes Dhomës Amerikane të Tregtisë, bizneset e industrisë së pijeve alkoolike, birrës dhe duhanit, ngrenë disa dyshime mbi skemën që propozohet, që sipas tyre, jo vetëm nuk ul evazionin, por e rrit atë, ndërsa konsumatorët do të përballen me rritje tjetër të çmimeve.

Duke renditur disa pika, në formë vërejtjesh, bizneset kërkojnë nga ministri sqarime sesi është e mundur që në kontratë vendosen çmime në euro, kur një fakt i tillë nuk ndodh në asnjë vend tjetër që ka aplikuar skemën e re të pullave fiskale sipas modelit “shënim dhe gjurmim” (track and trace system).

Përveç kësaj, sipas bizneseve, “çmimi i vendosur në sistem është përcaktuar në shumën 20 euro për 1 mijë pulla, kur ndryshe ka ndodhur në Turqi, vend që ka aplikuar një sistem më të komplikuar se çfarë propozon qeveria, me çmim 5.2 dollarë për 1 mijë pulla”.

Sipas kontratës, të miratuar nga qeveria pak kohë më parë, shoqëria zvicerane SICPA do të jetë e autorizuar që për një periudhë 10-vjeçare, të prodhojë, shpërndajë dhe menaxhojë të gjithë sistemin e pullave fiskale.

Te pulla do vendoset një kod sigurie, në bazë të të cilit arrihet të mësohet vendi i origjinës së mallit, në rast se ka kaluar kontrabandë apo janë kryer shkelje.

Por subjektet e këtij sektori pretendojnë se sistemi që ofron SICPA nuk e garanton qëllimin e qeverisë, madje as Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk sugjeron aplikimin e procedurës së koncesionarit, sidomos për duhanin, ndërsa asnjë vend i Bashkimit Europian nuk e zbaton këtë rregull.

“Sistemi i propozuar nuk do të sjellë efektin e dëshiruar nga qeveria, sidomos për prodhuesit e alkoolit dhe duhanit. Efektet nuk do të jenë vetëm te rritja e çmimeve, apo te ndërprerja e furnizimit të tregut me këto produkte, por do të kontribuojnë në rritjen e tregtisë së paligjshme”, thuhet në letrën, e cila u përgatit në kuadër të diskutimeve që pritet të zhvilloheshin në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit, në Ministri të Ekonomisë.

Për shumë kohë bizneset e këtij sektori, anëtarë të dhomës amerikane të tregtisë, kanë kërkuar takime me zyrtarë të lartë të Financave, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e përbashkët.

Përgjigjet jo vetëm që nuk kanë qenë negative, por deri në tallje, injorim, pasi vetë ministria u kërkoi bizneseve të jepnin sugjerime për ligjin e ri, brenda datës 12 shkurt, kurse nga ana tjetër, fakti ishte i kryer, sepse qeveria e kishte miratuar ligjin në datë 8 shkurt.

Top Channel