Alonso: Nuk besoja se Kubica do të mbijetonte

17/02/2011 16:55

Dy herë kampioni i botës në Formulën 1, Fernando Alonso, mendoi se kolegu i tij, Robert Kubica, nuk do të mundej t’i mbijetonte aksidentit të pësuar në 6 shkurt, gjatë pjesëmarrjes në një garë reli në Itali.

”Mbeta i shokuar kur mësova lajmin. Kur shkova në spital dhe pashë që ishte në atë gjendje, seriozisht mendova se nuk do të mbijetonte”, deklaroi ferraristi.

”Aftësia e mjekëve për të kuruar dëmtime aq të rënda është e pabesueshme. Tani Kubica është duke u riaftësuar me shpejtësi dhe shpresoj ta shoh shumë shpejt në garat e Formulës 1. Botërori do të bëhet më i bukur kur ai të rikthehet”.

Pavarësisht se shumë zëra janë bashkuar për të kritikuar Kubica-n rreth faktit që nuk u tregua i kujdesshëm, duke marrë pjesë në gara përpara fillimit të sezonit në Formulën 1, Alonso i del në mbrojtje vendimit të polakut.

”Ata që jetojnë me këtë profesion kanë nevojë të vazhdueshme për të rritur adrenalinën në trupin e tyre dhe garat e relit janë një mënyrë e mirë për t’a bërë këtë. Unë stërvitem me biçikletë çdo ditë kur kam kohë të lirë.

Përpara disa javësh, kur po shkoja të takoja një mik, një kampion pësoi një aksident disa dhjetëra metra përpara meje. Nëse do të kisha qenë pak më përpara, ai do të më kishte përplasur edhe mua. Kështu është jeta, rreziqet nuk mund t’i shmangësh asnjëherë tërësisht”.

Top Channel