Gjerontokracia është një rend qeverisës ku mosha e liderit që udhëheq një vend është shumë më e madhe se sa mosha mesatare e popullsisë.
Një grafik i hartuar nga studiuesit sugjeron se hendeku është më i madh në vendet autokratike si Arabia Saudite, Jemeni, Algjeria, Kuba dhe Korea e Veriut, ku diktatori Kim Jong Il neser feston 70-vjetorin e lindjes.
Në të kundërtën, demokracitë duket se preferojnë udhëheqës më të rinj në moshë, ku Shtetet e Bashkuara dhe Britania përbëjnë rastet më tipike.
Përjashtim bën vetëm India dhe Italia me kryeministrin e saj 75-vjecar Silvio Berlusconi.
Në rastin e Shqipërisë, kryeministri 67-vjecar Sali Berisha udhëheq një popull me moshë mesatare 28 vjec.
Por a është e rëndësishme mosha e liderit? Një nga shkaqet më të diskutuara të atij që quhet “Revolucioni Jasmin” në botën arabe, është pikërisht diferenca e theksuar e moshës mes udhëheqësve dhe popullsisë.
Mosha mesatare e Egjiptit është 24 vjec, ndërsa presidenti Mubarak, i rrëzuar nga pushteti pak ditë më parë, ishte udhëheqësi i 5-të më i vjetër në botë, plot 82 vjec.
Në fakt, diferencat e theksuara në moshë mes udhëheqësve dhe popullit janë karakteristikë e sistemeve diktatoriale.
Mao Ce Dun ishte 82 vjec kur vdiq dhe la pushtetin. Enver Hoxha 76 vjec, ashtu si shumë udhëheqës të tjerë komunistë në Europën lindore.
Gjerontokracia ka si anën më të fortë të saj stabilitetin. Por në kushtet kur institucionet përballen me ndryshime të shpejta, udhëheqësit e moshuar shpesh herë shihen si pengesë.
Top Channel