Njësitë vendore kanë shpallur listat paraprake të zgjedhjeve të 8 majit, por polemikat dhe akuzat vazhdojnë.
Arben Tafaj, kryetari i minibashkisë numër 8, që përfaqëson mazhorancën, thotë se qytetarët mund të kontrollojnë emrat e tyre në listat e afishuara në shkolla apo institucione të tjera publike, ndonëse vazhdon pastrimi i dublimeve.
“Pavarësisht retorikës politike, njësitë kanë kohë që janë vënë në krye të punës për përgatitjen e procesit zgjedhor. Ato kanë përcaktuar tashmë qendrat e votimit dhe brenda afateve të përcaktuara nga ligji janë shpallur listat paraprake, të cilat po rigjenerohen derisa të bëhen përfundimtare”, deklaron Tafaj.
Të njëjtën gjë e konfirmon edhe kryetari i minbashkisë numër 7, Pandi Sara, përfaqësues i socialistëve. Por ai denoncon që në fillim një shkelje kur citon udhëzimin e Ministrisë së Brendshme e që në fakt nuk është respektuar prej tyre.
“Nga sistemi i regjistrit kombëtar, përgjegjësi i zyrës së gjendjes civile shkarkon votuesin paraprak. Në zgjedhjet e 2009-ës kemi pasur elementë të kësaj natyre, ku qytetarët e kanë pasur emrin si në internet, si në formatet e mëparshme. Nga pikëpamja teknike cfarë ka ndryshuar?”, thotë Sara.
Sara sqaron se mund të bëhen manipulime duke hequr nga lista emra të votuesve të majtë, duke i dërguar ata në qendra të tjera votimi, ku nuk ndihet pesha e tyre, ashtu sikundër ndodhi me zgjedhjet e kaluara ku qytetarët ishin informuar me detaje për qendrën ku do të votonin, por ditën e zgjdhjeve brenda qendrës mësonin se nuk kishin emrin aty.
Nga ana tjetër, ndërsa kërkohet që forcat politike të reflektojnë rekomandimet e OSBE/ODHIR, në kod, sipas Sarës, kjo gjë nuk ka ndodhur deri më tani.
Top Channel