Interi fitoi 2-1 në ndeshjen e prapambetur të Serisë A, përballë Fiorentinës, duke u afruar në pesë pikë larg Milanit kryesues.
Ndeshja u zhvillua gjatë mbrëmjes, në stadiumin “Artemio Franchi”, të Firences.
Takimi nisi menjëherë mirë për kampionët e Italisë në fuqi. Stankovic pasoi topin në krah për Eto’o, i cili krosoi një top në zonë. Në përpjekje për të larguar rrezikun, mbrojtësi i ri Camporese dërgoi topin në rrjetën e tij.
Fiorentina barazoi përkohësisht rezultatin në mesin e pjesës së parë. Pasqual krosoi në zonë për Gilardino-n, por ky i fundit nuk arriti të devijonte.
Duke u përqendruar tek veprimi i Gilardino-s, portieri Cesar neglizhoi trajektoren e krosit, i cili përfundoi në rrjetë.
Goli përcaktues i takimit u realizuar nga blerja e janarit, Giampaolo Pazzini. Ai shndërroi në gol krosin e ulët të Eto’osë, pas depërtimit të kamerunasit në krahun e djathtë të mbrojtjes “vjollcë”.
Në ndeshjen tjetër të prapambetur, në derbin e Xhenovës, Genoa mposhti kundërshtarët e Sampdorias, falë një goli të vetëm të Rafinjës.
Ndeshja e Interit ishte shtyrë si rrjedhojë e pjesëmarrjes së tyre në Botërorin e Klubeve, ndërsa derbi i Xhenoas ishte pezulluar për shkak të rreshjeve të dëborës.
Top Channel