Heidfelt, zëvendësuesi i Kubica-s tek Renault

16/02/2011 20:20

Skuadra e Formulës 1, Renault, lajmëroi gjatë pasdites se do të jetë gjermani Nick Heidfelt ai që do të zëvendësojë pilotin e dëmtuar, Robert Kubica.

Kontrata me Heidfelt është lënë e hapur dhe ai do të jetë në drejtimin e një makine Renault deri kur polaku të jetë riaftësuar plotësisht.

33-vjeçari, një pilot me shumë përvojë në Formula 1, deklaroi se ndihet shumë i emocionuar dhe pret me padurim që sezoni të nisë, edhe pse nuk do të kishte dashur të fitonte vendin në këto rethana.

Sipas mjekëve, besohet se Kubica nuk do të jetë në gjendje të garojë në asnjë prej garave të këtij sezoni.

Ai iu nënshtrua sot operacionit të tretë në një spital italian, për të rindërtuar bërrylin e frakturuar.

Më parë gjatë muajit, Kubica pësoi një aksident të rëndë, duke garuar me një makinë reli. 26-vjeçari pësoi fraktura të shumëfishta, në këmbë, krah, legen dhe shpatull, ndërsa rrezikoi të humbte jetën.

Megjithatë, ai është rikuperuar mirë dhe operacionet e mëparshme për rindërtimin e pjesëve kryesore të thyera të skeletit kanë dalë me sukses.

Top Channel