Egjipti bën bilancet: 365 civilë të vdekur

16/02/2011 19:35

Të paktën 365 persona humbën jetën në protestat 18 ditore kundër regjimit të Mubarak-ut, u raportua në një vlerësim zyrtar të Ministrit të Shëndetësisë.

Lajmi u bë i ditur pasditen e sotme, nga Ministri Ahmed Sameh Farid, i cili shtoi se në këtë bilanc nuk përfshihen viktimat e forcave të policisë apo të vrarët në trazirat e përgjithshme që ndodhën nëpër burgje.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, punonjës të sindikatave të ndryshme dolën përsëri në protesta, për të kërkuar përmirësimin e pagave dhe kushte të tjera më të mira ekonomike.

Ushtria ka bërë thirrje për qetësi dhe për përfundimin e protestave, që prej largimit të ish-presidentit 82-vjeçar. Ata lëshuan një thirrje të re gjatë ditës, duke theksuar se mund të jenë të detyruar të përdorin forcë jovdekjeprurëse, për të risjellë stabilitetin në vend.

Këshilli i Lartë i Ushrisë ka bërë të ditur se do të mbajë pushtetin në Egjipt për gjashtë muaj, kohë gjatë së cilës do të planifikohet organizimi i zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në vend.

Top Channel