Bakaj-Dinamo Bukuresht, divorc i parakohshëm?

16/02/2011 11:55

Ëndrra e lojtarit më të mirë shqiptar për vitin 2010, Elis Bakaj, për të luajtur te Dinamo e Bukureshtit mund të përfundojë pa nisur ende mirë.

Firmat janë hedhur në kontrata, por boja ende e patharë mirë “mund të fshihet edhe me dorë”. Kalimi i Elis Bakajt te Dinamo e Bukureshtit është në rrezik, sepse klubi rumun mund të mos jetë në gjendje të paguajë Dinamon e Tiranës sipas marrëveshjes së arritur. Shkak për këtë është afati i vënë nga klubi kampion i Shqipërisë, Dinamo, i cili skadon pas 48 orëve të ardhshme.

“Qentë e kuq” duhet të paguajnë sa më shpejt 300000 eurot e nevojshme për të shlyer blerjen e tij, sepse në të kundërt do të gjenden në një pozitë të vështirë, pasi do të jenë të detyruar të heqin dorë nga futbollisti i talentuar i Kombëtares shqiptare. Gazeta e njohur rumune “Prosport” shkruan se ka lindur një problem i madh në klubin e famshëm të Rumanisë dhe ky ka të bëjë me një pagesë që duhej të ishte kryer nga Karlsruhe e Gjermanisë për futbollistin Andrei Kristea, pagesë që ende nuk është bërë, e cila shkon në 375 mijë euro. Drejtuesit e Dinamos ishin bazuar pikërisht në këtë sasi parash që do të merrnin nga gjermanët për të paguar 300 000 eurot që duhen për Bakajn.

Por në problemin financiar të klubit rumun ka ndikuar edhe një fakt tjetër. Ai ka lidhje me shpenzimet e shumta në këtë periudhë. Më saktë Dinamo e Bukureshtit ka paguar edhe 50 miliardë lei (afërsisht 1.4 milionë euro) për të marrë licencën si klub profesionist. Një licencim që vlen për sezonin e ardhshëm. Sikurse bëhet e ditur, të gjithë aksionerët e klubit janë mbledhur për të gjetur patjetër një zgjidhje për çështjen Bakaj, pasi ata nuk do t’ia falnin vetes që të humbnin një nga blerjet më të rëndësishme të merkatos së dimrit.

Bakaj debutoi me një eurogol në një ndeshje miqësore të luajtur pak ditë më parë në Antalia të Turqisë, realizuar me një gjuajtje nga 18 metra largësi, ndërsa u shfaq si lojtari më i mirë i Dinamos në fushën e lojës me 22 pasime të sakta dhe 4 gjuajtje drejt portës kundërshtare, madje ishte goli i tij që siguroi fitoren 1-0. Lojtari i Kombëtares shqiptare ka deklaruar se synimi i tij në Rumani është “fitorja e titullit kampion, pasi nuk mund të jetë ndryshe kur je pjesë e Dinamos së Bukureshtit”.

Bakaj u sugjerua dhe u ndihmua të kalonte në klubin e famshëm rumun nga Sulejman Demollari, legjenda shqiptare e Dinamos, i shpallur si më i miri futbollist i huaj që ka luajtur ndonjëherë për këtë ekip. Vetë trajneri i Dinamos së Bukureshtit, Ioan Andone, ka thënë për Bakajn: “Unë e njoh lojtarin, të gjithë e pamë çfarë është në gjendje të bëjë ai. Shpresojmë që ta mbajmë”.

Në 10 ndeshje zyrtare me Kombëtaren kuqezi Bakaj nuk ka shënuar asnjë gol. Te Dinamo e Bukureshtit ai ka një rrogë prej 12 mijë eurosh në muaj, gjë e cila mund të rritet në varësi të performancës dhe bonuseve që pasojnë.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA