Arsenal “trondit” Barcelonën në 5 minuta

16/02/2011 22:50

Pesë minuta lojë i kanë mjaftuar Arsenalit për të përmbysur gjithçka e për të marrë fitoren 2-1 ndaj Barcelonës në superndeshjen e kësaj mbrëmjeje të Ligës së Kampionëve.

Takimi ka nisur vrullshëm për vendasit që në 15 minutat e para kontrolluan më shumë topin dhe krijuan më shumë raste për shënim. Por pas kësaj, Barcelona zgjohet dhe bën atë që di të bëjë më mirë se cilado skuadër në planet, qarkullon topin. Loja e katalanasve me pasime të shpejta e të shpeshta ka dhënë rezultat në minutën e 26 kur Mesi pason bukur për David Villa i cili vetëm për vetëm me portierin vendas, nuk gabon, Barcelona kalon në avantazh.

Pas këtij goli, Arsenal mundohet të reagojë, e në një rast të tillë, Van Persi i godet diagonalisht nga brenda zonës, por goditja e tij është e gabuar. Pjesa e parë mbyllet me fitoren e Barcelonës, 0-1.

Pjesa e dytë nis aty ku përfundoi e para, me të dyja skuadrët që përpiqen të kontrollojnë më shumë topin. Ata që dalin triumfues nga ky duel janë topçinjtë vendas që barazojnë fillimisht me Van Persin në minutën e 78 e më pas kalojnë në avantazh me Arshavin në minutën e 83. Minutat e mbetura janë shumë pak për të sjellë ndryshim rezultati, megjithë përpjekjet e Barcelonës për të barazuar dhe të Arsenal me kundërsulm për të shënuar golin e tretë. Kjo sfidë përfundon 2-1 dhë lë të hapur duelin për në ndeshjen e kthimit në Kamp Nou për të përcaktuar se kush do të vijojë më tej.

Në ndeshjen tjetër të kësaj mbrëmje, Shaktar Donetsk tregoi që nuk ishte rastësi vendi i parë në grup dhe mbërritja deri në këtë fazë të Ligës së Kampionëve. Ukrainasit fituan 2-3 në Olimpiko ndaj Romës vendase. Të parët që kaluan në avantazh ishin verdhëkuqtë e Ranierit në minutën e 28 me Perrotën. Por vetëm 60 sekonda më vonë, Shaktar barazon me Jadson për të ardhur më pas tek gol i avantazhit në minutën e 36 me anë të Kosta. 3 minuta nga përfundimi i pjesës së parë, Luiz Adriano trefishon për miqtë. Kjo pjesë mbyllet 1-3 për Shaktar.

Në pjesën e dytë, Roma mundohet të reagojë, por shpesh herë vihet në vështirësi nga kundërsulmet e Shaktar, që vetëm falë pritjeve të Donit nuk shënuan dot golin e katërt. Në minutën e 61 Roma shënon me Menez duke ngushtuar në 2-3, rezultat ky që gjithësesi mbetet i vështirë për t’u thyer në ndeshjen e kthimit fushën e “ftohte” të ukrainasve.

Ndeshjet e 1/16 të Ligës së Kampionëve rikthehen javën tjetër me 4 çiftet që do të plotësojnë ndeshjet e para të kësaj faze. Kopenhagen-Celsi e Lion Real Madrid ditën e martë më 22 shkurt dhe Inter-Bajern e Marseje-Man. Junajted të mërkurën më 23 shkurt.

Top Channel