Arsenal-Barcelona, duel filozofish të njëjta

16/02/2011 13:30

Trajneri i Barcelonës Pep Guardiola është shprehur se skuadra e tij është e gatshme të tregojë një formë të mirë në këtë fazë, ndryshe nga ajo e grupeve apo nga sezonet e shkuara.

Katalanasit do të përballen në mbrëmjen e sotme me Arsenalin në Emirates. Në vitin e kaluar në trasfertë Barcelona u ndal në barazim 1-1 nga Shtutgarti ndërkohë që edhe në 2009 arriti të njëjtin rezultar me Lionin. “Shpresojmë të fitojmë e të mos ndalemi sërish në barazime si na ka ndodhur më parë,” – ka deklaruar Guardiola në konferencën për shtyp në Emirates Stadium.

“Topçinjtë” do të jenë një kundërshtar i fortë për Barçën, pavarësisht kualifikimit në sezonin e shkuar me një rezultat të përgjithshëm 6-3. Një ndër lojtarët më në formë të Arsenalit në këtë moment është holandezi Robin van Persi, i cili mund t’i sjellë shumë probleme mbrojtjes së Barcelonës. Përballja e Arsenalit me ta shihet si një sfidë loje e njëjtë me shumë pasime, pasi edhe skuadra e Arsen Venger është duke bërë një futboll të tillë spektakolar, që dirigjohet nga një prej lojtarëve që kërkon tashmë prej vitesh nga Barcelona, si Cesk Fabregas.

Por pavarësisht shifrave dhe protagonistëve, përballja e sotme garanton një spektakël më vete të dy prej skuadrave që luajnë një futboll spektakolar në Primera Divizion dhe në Premier Ligë. Samir Nasri është vënë në dispozicion të Vengerit për ndeshjen e sotme pas një rikuperimi të një dëmtimi që e mbante jashtë fushës së lojës që nga 30 janari. Por lajmi i rikthimit të tij shoqërohet edhe me atë të mos aktivizimit të mesfushorit Diabi i cili është dëmtuar në ndeshjen miqësore me Francën javën e shkuar.

Në pesë përballjet e fundit Arsenali nuk ka arritur asnjëherë të fitojë me Barcelonën, ka barazuar dy herë dhe është mundur 3 herë të tjera.

Ndeshja tjetër e mbrëmjes së sotme është ajo mes Romës dhe Shaktarit. Trajneri i Romës Klaudio Ranieri edhe pse ka vlerësuar kundërshtarin ka bërë të ditur se nuk e ka pasur shumë të vështirë për të përgatitur këtë ndeshje, duke qenë se ka një skuadër të përbërë nga profesionistë që janë të vetëdijshëm për potencialin dhe se mund ta fitojnë këtë përballje.

Top Channel