Armstrong tërhiqet përfundimisht nga çiklizmi

16/02/2011 16:30

Shtatë herë fituesi i Turit të Francës, Lance Armstrong, lajmëroi për tërheqjen e tij përfundimtare nga çiklizmi.

Njeriu më i suksesshëm në historinë e këtij sporti, e bëri njoftimin nëpërmjet një konference për shtyp, në mesditë.

Amerikani u tërhoq nga çiklizmi më parë në vitin 2005, por vendosi të rikthehej në 2009-n. Në Turin e këtij viti, ai përfundoi i treti, pas fituesit Alberto Contador.

”Largohem pa patur asnjë pishman. Karriera ime ka qenë e mrekullueshme”, deklaroi Armstrong-u, i cili përpara se të hynte në librat e legjendave të çiklizmit, u bë një ikonë e luftës kundër kancerit, duke mposhtur një tumor të avancuar në testikuj.

Trajtimit gjatë kurave u krye me disa substanca, të cilat ndalohen të përdoren në botën e sportit, pasi konsiderohen si stimulantë.

Kundërshtarët e kanë sulmuar pikërisht në këtë pikë, por ekspertët thonë se është e pamundur që ato substanca t’a kenë ndihmuar për më shumë se një dekadë, pasi Armstrong u shpall i shëruar prej tumorit në vitin 1997.

Top Channel