Tirana, ekipi më i mirë shqiptar i dekadës

15/02/2011 11:50

Është Tirana skuadra më e mirë shqiptare e dekadës së parë të shekullit të 21.

Në një përfundim të tillë arrihet pas konsultimit me klasifikimin e publikuar dje nga Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS), ku 24 herë kampionët e Shqipërisë pozicionohen në vendin e 172-të mes plot 643 klubeve të Europës.

Kjo renditje klubesh merr parasysh paraqitjen e klubeve në kampionatet përkatëse kombëtare, por edhe në të gjitha kompeticionet ndërkombëtare gjatë periudhës 2001-2010, duke ndërtuar kështu edhe renditjen europiane për klubet.

Në këtë klasifikim nuk përshihen Andorra, Ishujt Faroe, Lihtenshtejni, San Marino dhe Mali i Zi.

Sukseset e Tiranës gjatë 10-vjeçarit të parë të shekullit të ri u kanë mundësuar bardhebluve të pozicionohen në vendin e 172 në Europë në kuotën e 586,5 pikëve, por edhe për t’u konfirmuar si klubi më i mirë shqiptar i kësaj dekade. Në këtë periudhë, skuadra më e titulluar shqiptare ka fituar 5 tituj kampionë (2002-2003, 2003-2004, 2004-2005, 2006-2007, 2008-2009) dhe 3 Kupa të Shqipërisë (2000–‘01, 2001–‘02, 2005–‘06). Tirana ka mundur të lërë pas në këtë renditje klube të njohura si anglezët e Portsmuthit (176), kroatët e Varteksit (183), hungarezët e Ferencvarosh (193), Aris Saloniki (197) austriakët e Grac (200).

Përveç Tiranës në këtë klasifikim pasqyrohen edhe 8 klubet e tjera. Skuadra e dytë më e mirë shqiptare është Vllaznia (1 titull kampion 2000-2001 dhe një kupë 2007–08) dhe e pozicionuar e 264-a me 455,5 pikë. Pas vjen Dinamo (3 tituj kampionë 2001–‘02, 2007–‘08, 2009–‘10 dhe një kupë 2002–‘03) me 447,5 në vendin e 272-të, Teuta e  346–ta (363,0 pikë), Partizani i 422-ti (292,5), Besa e 424-ta (291,5), Shkumbini i 426-ti (290,5), Elbasani i 441-ti (276,5) për t’u mbyllur nga Flamurtari i 527-ti (222,0).

Ndërkohë që klasifikimi i klubeve dekatën e parë të shekullit të 21-të kryesohet nga Barcelona (2.550,0 pikë). Në “Top Ten” bëjnë pjesë Mançester Junajtid, Liverpuli, Arsenali, Interi, Bajern Mynih, Milan, Real Madrid, Çelsi dhe Roma.

 

Top Channel