Rikthehet Liga e Kampioneve

15/02/2011 14:30

Sot në mbrëmje rikthehet Liga e Kampioneve me dy ndeshje, ku Milani do të presë Totenhemin në San Siro për fazën e 16-sheve.

Trajneri i skuadrës britanike, Henri Redknap, është shprehur i kënaqur me rikthimin e Rafael van der Vart për këtë ndeshje pasi mungoi në takimin e kampionatit të cilin e fituan 2-1 me Sandërlendin. Ndërkohë një mungesë e rëndësishme për ta do të jetë Geret Bejl i cili ishte protagonist në dy ndeshjet që zhvilluan me Interin, pasi është i dëmtuar dhe Xhermein Xhenas që është i pezulluar. Mungesën e Bejl Redknap e komenton si një humbje të madhe për repartin e mbrojtjes, megjithatë sinjale positive ka nga Luka Modric i cili është rikuperuar dhe është gati për të luajtur.

Por, pavarësisht kësaj, për Spërsat kjo do të jetë një ndeshje shumë e vështirë përballë Milanit në Milano. Kuqezinjtë do të kërkojnë medoemos një Ibrahimovic në formë të mirë ashtu si po paraqitet edhe në kampionat ku ka shënuar 13 gola në 23 ndeshje. “Do të jetë një ndeshje e fortë pasi Totenhemi po paraqitet mirë edhe në kampionat,” – ka deklaruar Ibrahimovic.

Ndërkohë Alegri deklaron se do të ketë të njëjtën skuadër që përdor në kampionat me të njëjtën taktikë. Sa i përket formacionit trajneri italian do të bëjë gjithçka publike pak përpara fillimit të ndeshjes për shkak të lojtarëve të dëmtuar që ka.

Këto dy skuadra takohen pas rreth 40 vitesh bashkë, që nga gjysmëfinalja e kupës UEFA në vitin 1972 kur përfundoi 1-1 e më pas Totenhemi u kualifikua falë gjuajtjes së 11-metërshave. Në 14 ndeshje të zhvilluara në shtëpi me skuadra angleze Milani është mundur vetëm dy herë, nga Manchester Junajtid 3-2 dhe nga Arsenali 2-0.  

Ndërkohë takimi tjetër i mbrëmjes së sotme është ai mes Valencias dhe Shalke 04. Të dyja skuadrat kanë bërë një paraqitje të mirë në këtë fundjavë në kampionatet respektive, ku Valencia ka fituar 1-2 me Atletikon e Madridit dhe ndërkohë Shalke ka fituar 1-0 me Fraiburgun.

Të dyja këto takime të 16-sheve të Champions League do të keni mundësinë t’i ndiqni drejtpërdrejtë në paketën Supersport HD të platformës Digitalb.

Top Channel