Ndërtuesit kërkojnë shlyerjen e borxheve

15/02/2011 08:35

Zgjidhja e “thesit” me vlerë 50 milionë USD në fund të vitit përmes aktit normativ, duket se nuk i ka kënaqur ndërtuesit.

Sipas zv.drejtorit të Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovija, qeveria shqiptare i detyrohet sektorit të ndërtimit të punëve publike edhe rreth 150 milionë USD të tjera.

“Shuma në fjalë përfshin vetëm situacionet e përfunduara dhe për të cilat palët janë dakord, ndërkohë që shuma totale mund të jetë edhe më e lartë”, tregon Hebovija.

Numri dy i ndërtuesve tregon me shqetësim se, kontratat që Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve u ofron subjekteve private nuk përmbajnë asnjë penalitet për investitorin në rastin e vonesave për shlyerjen e detyrimeve.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave deklaron se në gjendjen e saj në thesar nuk ka asnjë projekt të pafinancuar.

“Ne operojmë me listat që ofron Ministria e Punëve Publike, me punimet e kryera, dhe më pas zhbllokojmë fondin. Zyrtarisht nuk kemi asnjë detyrim të pashlyer”, sqaron drejtori i Investimeve, te Financat, Dorian Teliti.

Prej dy vitesh ndërtuesit janë vendosur në situata të vështira financiare me shtetin, për shkak se punimet publike të kryera nga ata nuk shlyhen në kohë.

Top Channel