Një ditë përpara rikuperimit të ndeshjes së prapambetur të kampionatit me Fiorentinën, trajneri i Interit, Leonardo, i doli në mbrojtje sulmuesit Eto’o, për kritikat e marra pas paraqitjes së tij në përballjen me Juventusin.
”Duhet të jesh i çmendur të kritikosh Eto’o-në. Ai ka shënuar 27 gola në këtë sezon dhe mund të ndodhë një ndeshje kur nuk gjen hapësirën apo momentin e duhur për të goditur”, deklaroi Leonardo.
”Ai zotëron një formë të shkëlqyer dhe është e qartë që nuk dekurajohet nga këto polemika të kota”.
Sipas presidentit Moratti, zikaltërit janë të detyruar që të luftojnë deri në fund për të fituar titullin. “Presidenti ka të drejtë”, shtoi ish-trajneri i Milanit. “Kampionati është ende i hapur, askush nuk mund të mendojë se e ka fituar”.
Në lidhje me ndeshjen e nesërme, Leonardo theksoi: “Do të përballemi me një skuadër që është duke kaluar një moment shumë të mirë. Megjithatë, unë vazhdoj të besoj se Interi është, së bashku me Barcelonën, skuadra më e fortë në botë.
Me këtë dua të them që gjithçka varet nga vetë ne dhe nëse do të luajmë ashtu siç dimë, atëherë është e qartë që duhet të fitojmë”.
Top Channel