Familjet e mëdha shqiptare

15/02/2011 19:00

Historia e rrallë e një familjeje me 10 fëmijë u vendos në qendër të vëmendjes nga emisioni i pasdites në Top Channel.

Nëse fati do të ishte treguar “edhe më i mirë me të”,  Nazmiu do të njihej sot si
babai i 12 fëmijëve. 47 vjeçari ka dhjetë femijë, më e madhja 23 vjeç, ndërsa më i vogli 3 vjeç. Dy të tjerë nuk jetojnë më.

”Do të isha më i lumtur nëse do të kisha 12 fëmijë, pasi do të kishte nga një lugë për secilin. Në kompletin e lugëve që ne blejmë, janë 12 të tilla”, thotë Nazmi Shehi.

Nga kjo “marramendje lindjesh”, një në çdo dy vjet, takojmë shtatë prej
tyre….Fatimen, Kimeten, Suelën, Pranverën, Blerinën, Françeskën dhe Ajetin.

Lulëzimen, Linditën dhe Valbonën i njohim nga foto që ai shfaq. Por, si ndihet Nazmiu, banor i Dibrës, kur e pyesin se “sa femijë ka”

”Ekzistojnë dy përgjigje”, thotë ai. “Kur kisha nëntë vajza, njerëzit më thonin porosit një kafe apo një gotë raki, sepse do të qirasim ne.

Tani, me djalin, gjërat kanë ndryshuar. Me vajzat që kanë për të patur jetën e tyre, ndihem më i qetë duke e ditur se kam edhe një djalë”.

Një listë me emra shqiptarë, e  nënta “përjashohet”. Nazmiu thotë se emri
Françeska u zgjodh me nëntë gërma enkas si ogur i mirë për pasardhësin,
trashëgimtarin e familjes, Ajetin:

”Ia zgjodhi emrin daja, pra kunati im. Ai jeton në Itali dhe na dha një fjalë me nëntë gërma, si ogur i mirë që i dhjeti të ishte djalë dhe në fund, kështu doli”.

Për çdo emër të vëne, ka patur tre variante. Në familjen Shehi, si në “lojrat
e femijëve”, emrat e gjithësecilit janë hedhur me short:

”Vajza e nëntë ishte përjashtimi, por me fëmijët e tjerë, kemi vendosur gjithmonë tre letra. Zgjedhim tre emra, por atë që në fund kap mamaja e fëmijës, atë zgjedhim në fund”.   

Shkollimi i fëmijëve është dëshira e çiftit Shehi, një skuadër e mirë, ku fëmija i madh është modeli.

”Vajza e madhe është në vitin e dytë të Universitetit për eksperte informatike. Shpenzimet i përballojmë gjysëm për gjysëm me të fejuarin, por jemi të vendosur që të mos i lëmë fëmijët pa shkollë”, shton nëna, Kimetja.

Në qershorin që vjen, martesa e çiftit Shehi do të mbushë 24 vjet dhe të gjitha shtatëzanitë kanë qenë të dëshiruara.

Pavarësisht të gjithë vështirësive dhe peripecive që u është dashur të përballojnë si familje, Kimetja thotë se bashkëshorti i saj nuk është ligështuar asnjëherë gjatë jetës.

”Nuk mbaj mend që Nazmiu të ketë qënë ndonjëherë i mërzitur, pavarësisht nëntë vajzave rresht. Midis fëmijëve ai nuk ka bërë kurrë dallime”.

”Të gjithë i dua njësoj, por sa më të vogël të jenë, aq më shumë puthje u jap”, thotë Nazmiu, duke iu referuar Blerinës, Françeskës dhe Ajetit.

Natyrshëm, kur viziton këtë familje të madhe shqiptare, lind pyetja nëse ajo mund të zgjerohet edhe më shumë. “Ne mendojmë se i kemi dhënë fund, por asnjëherë nuk i dihet”, përfundon Nazmiu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA