Superliga “ha” koka trajnerësh

14/02/2011 17:00

23 trajnerë për 12 skuadra dhe vetëm për 20 javë kampionat, ky është bilanci i degradimit të profesionit të trajnerit të kampionatit shiptar.

Për kategorinë superiore dhe ajo që të bie më shumë në sy është fakti se skuadrat më mirë të renditura kanë edhe një qëndrueshmëri në pankinat e tyre.

Flamurtari, kryesuesi i Superligës, drejtohet prej gati dy vitesh nga Gugash Magani dhe në këtë sezon është shumë pranë titullit kampion duke qenë se ka lënë prapa me 7 pikë skuadrën e Skëndërbeut, një tjetër ekip i mirëorganizuar që drejtohet nga Shkëlqim Muca që prej fillimit të këtij sezoni.

Ndryshe ndodh me kryeqytetaset, skuadrat që ishim mësuar t’i shihnim thuajse gjithmonë në krye të renditjes.

Tiranës i është dashur të ndryshojë tre trajnerë deri në këtë javë të 20-të, pasi e filloi kampionatin me Starovën i cili qëndroi 6 javë, më pas 11 javë iu besua Dedes e nga kjo javë që përfundoi, 24 herë kampionët e Shqipërisë drejtohen nga kroati Kërsticevic. Pozicioni i bardhebluve është vendi i 4-të, 14 pikë larg kreut.

Të njëjtin fat kanë në këtë sezon edhe kampionët e Shqipërisë, Dinamo. E filluan me argjentinasin Blanko për të vazhduar me Ilir Dajën dhe në ndeshjen e fundit me zëvendësin Mërgjyshi, në pritje të emërimit të trajnerit të ri. Edhe blutë ndodhen në vendin e 5-të, 17 pikë larg kreut, duke u shkurorëzuar si kampione në fuqi.

Në vendin e gjashtë prej fillimit të sezonit mbetet Stavri Nica, i palëkundur dhe i denjë për objektivat që ka kjo skuadër.

Një skemë të ngjashme me lëvizjen e trajnerët shihet edhe te vendi i nëntë ku ndodhet fituesja e kupës dhe superkupës së Shqipërisë, Besa.

Kavajasit e filluan sezonin me Duron, vazhduan me Daiun dhe tashmë me Gerti Haxhiun, lëvizje që mbajnë në zonën e ftohtë te klasifikimit.

Lëvizje të cuditshme në këto vite të krizës financiare pasi në bazë të kontratave, të rregullta apo jo, presidentët duhet të paguajnë 3 rroga trajnerësh për një sezon, duke marrë një goditje financiare përvec asaj të rezultateve.

Ndërkohë, emrat e njohur të trajningut shqiptar si Starova, Sejdini, Lika, Canaj, Duro tashmë edhe Dede po zgjedhin profesione më të qendrueshme, opinionistë në emisione sportive.

Top Channel