Ronaldo: Ah, ky gjuri i mallkuar

14/02/2011 17:20

I konsideruar si sulmuesi më i mirë i kohërave moderne, Ronaldo Luiz Nazario de Lima, lajmëroi sot për tërheqjen e tij nga futbolli në moshën 34-vjeçare.

”Fenomeni” fajësoi dëmtimet e rënda që ka pësuar në karrierën e tij, midis të cilave edhe tre herë këputjen e ligamenteve të gjurit, si arsyen përse u detyrua t’i jepte fund që në këtë moshë lojës që dashuron.

”Nëse nuk do të kishin qenë ato dëmtime të mallkuara, të cilat në këtë moshë më japin shumë dhembje kur luaj, do të vazhdoja edhe për disa vjet të tjerë”, deklaroi dy herë kampioni i botës.

”Është një ditë me emocione të këqija, për mua është shumë e vështirë të them mjaft, por nuk mund të veproj më ndryshe. Kam shumë dhimbje kur luaj, nuk jam më në gjendje të bëj atë që dua.

Duhet të them se kjo ka qenë një karrierë e mrekullueshme, shumë emocionuese, me shumë probleme, por edhe me shumë fitore. Kam krijuar shumë miq në futboll dhe nuk di të kem ndonjë armik”.

Ronaldo lajmëroi dhe për faktin se vuan nga një patologji e rrallë, e quajtur ipotiroidizëm. “Katër vjet më parë, kur luaja në radhët e Milanit, zbulova se vuaja nga një shqetësim që quhet hipertiroidizëm.

Ky lloj problemi ndalon metabolizmin dhe për të zgjidhur këtë problem, është i domosdoshëm përdorimi i hormoneve, që në futboll janë të ndaluar, pasi hyjnë në listën e stimulantëve.

Kjo është mënyra e vetme për të frenuar vazhdimin e shëndoshjes. Kam dëgjuar me dhembje të gjithë ata që kritikonin peshën time, por e vërteta është se atë nuk e kam patur unë në kontroll. Kjo është një tjetër arsye përse detyrohem të heq dorë”.

”Fenomeni”, i cili nuk ka ndërmend të bëhet trajner në të ardhmen, mbrojti gjatë karrierës së tij të ndritur fanellat e klubeve si Cruzeiro, PSV, Barcelona, Real Madrid, Inter, Milan dhe Corinthias.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA