Gardistet, lirohet edhe një tjetër

14/02/2011 14:10

Me një solidaritet ushtarakësh që fillimisht ra në sy në dyert e policisë se Tiranës, oficerë të gardës ishin të pranishëm edhe në gjykatë gjatë njohjes se katër gardistëve të arrestuar me masën e sigurisë, të shpallur në mungesë për ta nga gjykatësi Shkëlqim Mustafa.

Tre prej tyre, Sadik Cela, Gazmend Ahmetaj dhe Mark Nikolli do të qendrojnë në qeli me 30 ditë burg. Ndërsa kolegu i tyre, komandanti Agron Malaj u la me detyrim paraqitje, pasi vetë prokurorët u tërhoqën nga akuza e tyre pasi sipas fakteve të sjella në sallë nga organi i akuzës, ky gardist nuk rezulton të ketë qëlluar me armë zjarri atë ditë.

Gjykata kërkoi që kamerat të filmonin pak caste e më tej të boshatisnin sallën, së bashku me oficerët e gardës që ishin të pranishëm jashtë ambjenteve të gjykatës herët në mëngjes.

Për gardistët e arrestuar e që do qendrojnë në burg me afatin e 30 ditëve, prokuroria pretendon se pas marrjes së dokumentacionit për planvendosjen e gardistëve në kryeministri, ata ishin pjesë e grupit të zjarrit, por akuza ende nuk ka sqaruar se cfarë konkretisht dyshohet të kenë kryer ata gjatë demonstratës së 21 janarit.

Nënoficerët Sadik Cela, Agron Malaj, Gazmend Ahmetaj dhe Mark Nikolli ishin të pranishëm në sallë, por mësohet se gjatë seancës me dyer të mbyllura ata nuk kanë thënë asgjë tjetër përvec pohimit të gjeneraliteteve.

Për ta kanë folur avokatët mbrojtës. Me masen e 30 ditëve burg për ta, gjykata i ka lënë afat prokurorisë të sjellë prova apo me saktë ekspertizën e armëve të tyre, njëra prej të cilave hetuesit dyshojnë se mund të ketë qëlluar mbi të ndjerin Aleks Nika, që ndërroi jetë në Turqi.

Në dalje të seancës, avokati Marash Ibraj tha se prokuroria nuk ka prova dhe se të dyshuarit mbahen në qeli duke shkelur të drejtat e njeriut.

“Ata njerëz janë prangosur vetëm sepse kanë bërë detyrën. Dhe gjëja më skandaloze është se gjykata i lë detyrë prokurorisë që brenda 30 ditësh të vërtetojë në janë armët tona ato që kanë shkaktuar vdekjet. Në asnjë shtet në botë nuk ndodh që i pandehuri të qëndrojë në burg derisa të gjendet prova”, deklaroi Ibraj.

Kur katër nënoficerët e njësisë speciale, apo sic i quan prokuroria të grupit të zjarrit, hynë në gjykatë, aty ishte i pranishëm në mbështetje të tyre edhe majori Alfred Ahmetcenaj, për të cilin gjykata dha të shtunën masën e sigurisë detyrim paraqitje, sërish me të njëjtin argumentim, atë të gjetjes së provave nga ana e prokurorëve.

I vetmi që është në burg pa afat është majori Agim Llupo, nën akuzë për vrasje në rrethana cilësuese, në bashkëpunim dhe tejkalim kompetencash.

Top Channel