Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Alexander Arvizu ka kërkuar të cohet para dhe pa ndërhyrje të jashtme hetimi i nisur nga Prokuroria e Përgjithshme mbi ngjarjet e 21 janarit.
Në një takim me krerët e Policisë së Shtetit, Arvizu ka kërkuar gjithashtu që me drejtësinë të ballafaqohen që nga organizatorët e dhunës, protestuesit e angazhuar, si dhe përgjegjësit që urdhëruan dhe qëlluan, e që cuan në vdekjen e 4 protestueve dhe plagosjen e shumë të tjerëve.
“Ata që organizuan dhe morën pjesë në aktet e dhunshme duhet të ballafaqohen me drejtësinë. Do të doja të permendja hetimin që është duke u bërë nga Prokuroria e Përgjithshme. E kemi theksuar shpesh se hetimi duhet të jetë i plotë, i gjithanshëm dhe i besueshëm. Hetimi duhet të përfshijë të gjitha fazat e ngjarjes së 21 janarit, duke filluar që nga organizatorët, protestuesit, si dhe ata të cilët janë përgjegjës për faktin që u qëllua, gjë që rezultoi në një ditë tragjike me vrasjen e 4 shtetasve shqiptarë, si dhe me plagosjen e shumë demonstruesve të tjerë, si dhe forcave të rendit. Është shumë e rëndësishme që ky hetim të cohet para pa ndërhyrje nga jashtë, në mënyrë që t’i përgjigjet pyetjeve të shumë qytetarëve shqiptarë për ngjarjen e 21 janarit, si dhe të evitohet përsëritja e ngjarjeve të tilla”, ka deklaruar Arvizu.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara i ka dorëzuar drejtorit të përgjithshëm të policisë, Hysni Burgaj, një raport të përgatitur nga ekspertët e ICITAP, ku vlerësohet qëndrimi i Policisë së Shtetit gjatë zhvillimit të demonstratës së 21 janarit.
Top Channel