Allegri: Shumë e vështirë ndaj Tottenham-it

14/02/2011 17:45

Pavarësisht se shorti i shmangu Milanit gjigantë të kontinentit si Barcelona, Manchester Uniter apo Chelsea, trajneri Massimiliano Allegri paralajmëroi për vështirësinë e përballjes me Tottenhamin, në Champions League.

Në një konferencë për shtyp në mesditë, numri një në stolin e kuqezinjve preku çështjet e rëndësishme të aktualitetit, foli për rëndësinë e ruajtjes së formës së shfaqur në fitoren 4-0 me Parmën, në të njëjtën kohë që theksoi rëndësinë e avancimit në Champions për një klub si Milani.

Tottenham – ”Si mposhtet Tottenhami? Vetëm duke luajtur shumë mirë. Statistikat nuk më interesojnë. E dimë që kemi një skuadër në gjendje që të kualifikohet, por për t’a bërë këtë duhet të luajmë shumë mirë në të dy takimet.

Objektivi kryesor do të jetë që të mos pësojmë gol, pasi ata kanë një potencial shumë të rëndësishëm sulmues. Bale, Modric e Crouch janë një pjesë e ekipit dhe edhe nëse s’do të luajnë, ata përsëri mbeten shumë të fortë”.

Formacioni – “Nesër, përveç të dëmtuarve, nuk mund të luajnë as Cassano, Van Bommel dhe Emanuelson, të mbërritur në janar, prandaj nuk kam shumë zgjedhje.

Në mesfushë kam në dispozicion vetëm pesë lojtarë, Flamini, Gattuso, Seedorf, Merkel dhe Jankulovski. Thiago Silva mund të luajë përpara mbrojtjes, por këtë duhet t’a studiojmë. Djathtas duhet të vendos nëse do të luajë Oddo apo Abate.

Sulmi? Të premten me Parmën, Robinho zhvilloi një ndeshje të mrekullueshme, pikërisht atë që i kërkova përpara takimit, por ndaj Tottenham-it do të jetë ndryshe, pasi do të mungojë Cassano”.

Top Channel