Bajern, spektakël në “Allianz Arena”

13/02/2011 08:55

Bajerni dhuron spektakël në ndeshjen e radhës në Bundesligën gjermane.

Skuadra bavareze mundi në Alianc Arena Hofenhajmin me rezultatin 4-0. Të besuarit e Luis van Gal e vendosën diktatin e tyre në këtë ndeshje që në minutën e parë të takimit kur Mario Gomez shënoi golin e avantazhit.

Vetëm 13 minuta më vonë Bajerni i Mynihut shënoi edhe golin e dytë me të riun Tomas Myler, rezultat ky që i çon ata të qetë në dhomat e zhveshjes.

Në pjesën e dytë kampionët e Gjermanisë shënuan edhe dy herë të tjera ku veçohet goli spektakolar i Arjen Roben. Holandezi shënoi golin e tretë pas një aksioni vetjak në hyrje të zonës, ndërkohë që goli i katërt ishte një gjuajtje fantastike që gjeti cepin e portës së Hofenhajmit.

Fitore të lehtë arriti edhe Leverkusen që mundi 3-0 Ajntrajhtin e Frankfurtit në fushën e këtij të fundit. Skuadra e aspirinave zhbllokoi rezultatin  në minutën e 9 me Rolfes, gol ky që u shoqërua nga ai u Renato Augusto në të 32. Në fundin e ndeshjes Balitsh shënoi giolin e tretë për Leverkusen që ruan diferencën prej 3 pikëve me bajernin e Mynihut.

Në ndeshjet e tjera, Shtutgarti u mund thellë nga Nurenbergu 1-4, ndërsa Shalke fitoi me Frajburgun 1-0. Sukses shënuan edhe Sënt Pauli edhe Hamburgu që mundën respektivisht Mynshengladbahun e Volfsburgun.

 

Top Channel