Ideja Obama, fond për shëndetësi e rrugë

12/02/2011 13:55

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ritheksoi nevojën për të investuar më shumë në edukim, teknologji dhe infrastrukturë, por shtoi se kjo do të arrihet nëpërmjet kursimeve në pesë vitet e ardhshme.

Duke prekur disa prej çështjeve që do të bisedohen në mbledhjen e radhës të administratës për buxhetin e vitit 2012, Obama portretizoi fondet shtetërore me buxhetin e një familejeje të zakonshme.

”Buxheti i shtetit është si ai i një familjeje. Ajo që pres prej Uashingtonit, është që ndërsa shpenzon për të tashmen, të fillojë të mendojë edhe për të ardhmen”, shkruante Obama në faqen e tij të internetit.

”Një familje mund të jetojë pak më mirë duke i prishur të gjitha paratë që ka menjëherë, por të gjithë preferojnë të fillojnë të kursejnë për fondin e studimeve të fëmijëve të tyre”.

Me opinionin publik që po kthehet kundër rritjes së shpenzimeve, presidenti ka filluar të promovojë më shpesh idetë e tij për ku duhet të fokusohet buxheti.

Republikanët janë për shkurtimin e shpenzimeve dhe antarë të Kongresit kanë thënë se kanë gati paraqitjen e një plani fiskal, i cili do të ketë një vlerë prej 61 miliardë dollarësh më pak se plani i vitit aktual.

Kursime në disa projekte të ndryshme të Shtëpisë së Bardhë duhet të krijojnë një buxhet prej 400 milion dollarësh në 5 vitet e ardhshme, që do të jetë një fond shtesë i cili do të përdoret për të financuar planet për përmirësimin e sistemit spitalor, infrastrukturor dhe teknologjik të vendit.

Top Channel