Allegri: Jemi në momentin më delikat

12/02/2011 11:45

Në prag të përballjes me Parmën, në një ndeshje kampionati që do të luhet pasditen e sotme, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, kërkoi përqendrim maksimal nga skuadra.

Kuqezinjtë, të cilët mësuan se dëmtimi i ri i Pirlos do ta mbajë atë larg fushave deri në prill, duhet të rikthehen tek fitorja për të patur të sigurt vazhdimin e kryesimit në Serinë A.

Me tre barazime në katër ndeshjet e fundit, një hap i ri fals do të ishte i papranueshëm. “Ky është momenti më i rëndësishëm dhe më delikat i sezonit”, pranoi Allegri.

”Pas ndeshjes së kampionatit kemi Champions League, pastaj gjysmëfinalet e Kupës dhe përsëri kampionatin. Në një muaj, mund të përcaktohet fati ynë në tre kompeticione.

Me Parmën nuk mund të gabojmë, pasi do t’u jepnin një avantazh ndjekësve, por nuk dua t’i vendos skuadrës presion. Është e rëndësishme që të luajmë me qetësi, entuziazëm dhe me kthjelltësi, ashtu siç kemi bërë deri tani për t’u ngjitur në vendin e parë”.

Në lidhje me karakteristikat e kundërshtarit, Allegri shton: “Parma është një skuadër teknike, e shpejtë dhe e mirëorganizuar. Është një ekip që është në gjendje të krijojë lojë dhe të shënojë. Candreva, Valiani dhe Dzemaili janë lojtarë të rrezikshëm, duhet t’i kemi shumë kujdes”.

Trajneri livornez komentoi edhe formën e Antonio Cassano-s. “Kishte disa vështirësi të natyrshme pas dy muajsh pa stërvitje. Megjithatë, në kombëtare bëri një ndeshje të mirë. Fakti që nuk mund të luajë në Champions League, sigurisht që do t’a avantazhojë”.

Top Channel