Të rinjtë më të papunët

11/02/2011 15:35

Një anketë e fundit e Institutit të Statistikave zbulon se pjesa e popullsisë në tregun e punës po tenton të rritet.

Anketa e cila ka studiuar tendencat në tregun e punës përgjatë vitit 2009, vëren se shkalla e pjesëmarrjes, e cila përbëhet nga individët e punësuar dhe ata që janë të papunë po ulet nga viti në vit.

Në 2007-n, të punësuarit dhe të papunët përbënin së bashku 65.2 përqind të popullsisë në moshë punë nga 15-64 vjeç.

Në fund të vitit 2009, kjo shifër ka rënë me më shumë se 3 përqind, çka do të thotë se shumë individë po bëhen inaktivë në tregun e punës.

Përveç impakteve që ka në skemën e sigurimeve, ulja e kësaj shifre parlajmëron një tjetër problem jo të vogël.

Atë të rritjes së papunëve të dekurajuar, një shifër të cilën INSTAT ende nuk e publikon.

Rritja e të dekurajuarve, personave të papunë që nuk regjistrohen në zyrat e puësimit sepse nuk besojnë që shteti mund t’u gjejë një punë, jo vetëm që nuk është e mirë për ekonominë, por shtrembëron edhe shifrat e punës, pasi kur llogaritet papunësia, kjo kategori nuk merret parasysh dhe konsiderohet njëlloj sikur nuk ekziston, çka në të vërtetë ul artificialisht normën e papunësisë.

Një tjetër tregues që konfirmon këtë tendencë është edhe ai i shkallës së punësimit.

Nëse në vitin 2007, ata që ishin të punësuar përbënin 56.4 përqind të popullsisë në moshë punë në vitin 2009 shifra ra në 53.4 përqind.

Edhe pse është një nga vendet me moshën mesatare më të re, Shqipëria ka një nga shifrat më të ulëta të të punësuarve në raport me popullsinë, madje në disa raste më të ulët edhe se ato vende që konsiderohen të plakura, çka sinjalizon se shifrat e papunësisë reale në vend mund të jenë më të larta se ato që jepen zyrtarisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA