Për herë të parë Ministria e Kulturës ka çelur edicionin kulturor, të pagëzuar me emrin e publicistit të njohur, Teodor Keko.
Në sallën e Ministrisë së Kulturës, ku ishin të ftuar gazetarë, aktorë, artistë dhe miq të Teodor Kekos, janë nderuar me çmimin kombëtar të Gazetarisë Kulturore që mban emrin e Kekos tre gazetarë për punën e tyre.
“Edicioni çmimet kombëtare të Gazetarisë Kulturore “Teodor Keko 2010” organizohet për herë të parë dhe fillimet janë të vështira, por është pikërisht profili i krijuesit dhe publicistit Teodor Keko motivi që i jep vlerë këtij rrugëtimi të saponisur”, u shpreh ministri i kulturës, Ferdinand Xhaferraj.
Gazetarit Fatos Baxhaku, i njohur edhe përmes ciklit të reportazheve me vlera autentike, muzeale dhe kulturore të transmetuara në Top Channel, i është dhënë çmimi i gazetarisë kulturore “Teodor Keko”.
“Ky çmim është rezultat i mësimeve të Teodor Kekos. Më ka mësuar që profesioni ynë është nga profesionet më modeste të kësaj bote dhe të qenit modest është një nga mësimet më të mira”, theksoi Baxhaku në fjalën e tij.
Gazetarit Ben Andoni i është dhënë çmimi për publicistikën. Ben Andoni është shprehur i nderuar për këtë çmim të cilin e ndan me çdo gazetar të kulturës.
Cmimi për realizimin e spektakleve kulturore dhe artistike i është dhënë Pandi Laços për realizimin e programit “Këngët e Shekullit” në televizionim Klan.
Top Channel