NBA, Lakers “leksion” Bostonit

11/02/2011 10:50

Los Angelos Lakers realizuan një përmbysje spektakolare mbrëmjen e shkuar në NBA, duke mposhtur 92-86 Bostonin në fushën e këtij të fundit.

Fitorja për skuadrën e udhëhequr në fushë nga i përhershmi Kobe Bryant erdhi edhe pse pas dy pjesëve të para, vendasit kryesonin me avantazhin e 15 pikëve, 47-32.

Duke nisur nga ky moment i lojës, skuadra nga Los Anxhelosi ndërroi ritëm dhe dominoi lojën, duke fituar dy pjesët e tjera me rezultatin 60-39, që e fiksuan rezultatin e përgjithshëm në 92-86.

Pika më e fortë e Lakers në këtë takim të sezonit të rregullt ishte mbrojtja, presioni i së cilës kufizoi kundërshtarët në vetëm 28,9% gjuajtje të sakta nga loja e rregullt.

Bryant ishte lojtari që realizoi më shumë pikë në këtë ndeshje, me 20 të tilla, përfshi edhe një trepikësh vendimtar që ndihmoi në thellimin e rezultatit nga 82-79, në 92-84.

Në të njëjtën mbrëmje erdhi edhe lajmi surprizë për dorëheqjen e trajnerit legjendar Jerry Sloan, nga stoli i Utah Jazz, pas më shumë se 22 vitesh në drejtimin e skuadrës.

Top Channel