Materrazzi për Calciopoli-n: Na bënin budallenj

11/02/2011 13:10

Futbollisti i Interit, Marco Materazzi, iu rikthyer çështjes së Calciopoli-t, në një intervistë të dhënë përparas përballjes me Juventusin në Torino.

”Të gjithë ata që kanë qenë tek Interi dhjetë vjet më parë, e dinë se me sa mundim kemi arritur disa objektiva të caktuara. Ndienim talljen e të tjerëve, por nuk mund të akuzonim njeri pa prova, pasi do të na merrnin për të çmendur”, deklaroi qendërmbrojtësi.

”Ishte një periudhë kur të bënin për budalla, por jam i lumtur që në fund arriti të dilte e vërteta”.

Materazzi u ndal edhe në ndeshjen e darkës së ditës së dielë me Juventusin. “Flitet shumë për këtë ndeshje, e cila do të jetë një përballje midis 22 lojtarësh të shkëlqyer. Uroj vetëm që të fitojë më i miri”.

Rreth Milanit kryesues, “Matrix” tha: “Kampionati është i gjatë. Kemi përpara një skuadër shumë të fortë, por ne jemi në rolin e ndjekësve për shkak të gabimeve të fazës së parë, pasi në këtë moment jemi shumë më në formë.

Nëse ruajmë këtë ritëm deri në fund, është e qartë që do të jemi favoritë për titullin kampion. Ranocchia? Është një blerje shumë e mirë, pasi ai është jo vetëm një qendërmbrojtës cilësor, por edhe një djalë i shkëlqyer”.

Top Channel