Kubica flet: Do të rikthehem më i fortë

11/02/2011 12:05

Piloti i Formulës 1, Robert Kubica, nuk mund të heqë dorë nga garat, edhe atëherë kur dergjet në shtrat me fraktura të shumëfishta në trup.

Polaku, i cili më vonë gjatë ditës do t’i nënshtrohet një operacioni për të ngjitur kockat e legenit, dha një intervistë të shkurtër për të përditshmen “La Gazzetta dello Sport”.

”Gishtat funskionojnë, i ndiej. Edhe krahu funksionon, por tani duhet të më operojnë dhe vetëm më vonë do t’a di me siguri”, deklaroi Kubica, shumë i kthjellët, pavarësisht se ndodhet nën efektin e qetësuesve.

”Më vjen keq për atë që ndodhi, por nuk mbaj mend asgjë. Di vetëm ato që më ka thënë agjenti im Daniele Morelli. Erdhën prindërit e mi nga Polonia, por përsëri u kthyen, sepse nuk mund të rrinin më gjatë.

Më vjen keq sidomos për nënën, të cilën e kam bërë të vuajë shumë me këtë aksident. Kam pak dhembje, por më japin qetësues dhe pas operacionit të fundit, do të nisë numërimi mbrapsht për rikthimin tim në pistë.

Pas këtyre aksidenteve përmirësohesh. Më kishte ndodhur më parë edhe në vitin 2007, pas goditjes në Kanada, ku aftësi dhe motivacione të reja dolën në pah. Pas kësaj ngjarje, jam i sigurt se do të kthehem më i fortë si pilot.

Jam i bindur se mund t’ia dal të rikthehem brenda vitit dhe krahun e djathtë e ndiej më mirë tani se sa kur përpara shtatë vitesh më përplasi një i dehur me makinë”.

Nga krevati i tij, Kubica shpjegoi edhe përse zgjodhi të garonte në një garë reli. “Edhe unë e kam pyetur veten pëse duhet ta bëja, por të shërben për stërvitjen në Formulën 1, të ndihmon në përqendrimin. A do të garoj sërish në reli? Të shohim”.

Në fund, një koment për vizitat e shumta. “Ishte diçka e bukur të shihja Briatore-n, një njeri i shkëlqyer. Pastaj, nga pilotët kanë ardhur këtu Alonso, Lopez, Petrov, Alesi, Liuzzi. Diçka e bukur, pasi në botën e Formulës 1 asnjëherë nuk je në gjendje të kuptosh realisht fytyrën e vërtetë të njerëzve”.

Top Channel