Hamilton: Më në formë se kurrë

11/02/2011 17:40

Lewis Hamilton, piloti britanik i McLaren Mercedes, është shprehur se është më në formë se kurrë në pritje të fillimit të kampionatit botëror të Formula 1 të vitit 2011.

“Jam më në formë se kurrë. Shpresoj të ndërtojmë një makinë fituese dhe të fitoj sa më shumë gara këtë sezon. Pres që ky vit të jetë fantastik”, deklaroi kampioni i botës i vitit 2008 në një intervistë për “formula1.com”.

“Në ditët në vazhdim do të kuptojmë nëse makina e këtij viti është më e mirë se ajo e sezonit të kaluar. Gjithashtu do të mësojmë se si funksionojnë gomat “Pirelli”. Duhet të presim garën e parë në Bahrein për të shuar dyshimet”, shtoi britaniku.

Hamilton nuk harroi Robert Kubica, pilotin e Renault i cili pësoi një aksident të rëndë të dielën e kaluar me një makinë Rally: “U bëra shumë merak kur mora vesh për aksidentin. Lutem që të shërohet sa më shpejt dhe që të rikthehet në gara sepse është një njeri dhe pilot fantastik.”

Top Channel