Allegri: Ibra-Pato, ende jo në 100%

10/02/2011 20:15

Trajneri i Milan-it, Massimiliano Allegri, theksoi se ndihet i qetë, pasi asnjëherë nuk kishte menduar se çështja e titullit mund të arkivohej kohë përpara fundit të kampionatit.

”Kampionati është i gjatë, duhen ende dhe shumë ndeshje, ndëra në Itali nuk ka ndodhur kurrë që një skuadër të fitojë titullin që dy muaj përpara”, deklaroi trajneri i kuqezinjve, në një intervistë të botuar në numrin e sotëm të “La Gazzetta dello Sport”.

”E dinim që Inter-i do të rikthehej të luftonte për titullin. Napoli po bën një kampionat të shkëlqyer, ndërsa Roma është ende në luftë. Gjëja e vetme që duhet të bëjmë tani është të ruajmë qetësinë dhe të përballojmë sa më mirë këtë fazë vendimtare të sezonit”.

Në lidhje me përshtatjen e lojës së Pato-s me atë të Ibrahimovic-it, Allegri shtoi: “Duhet të luajnë ende bashkë që të kuptohen shkëlqyeshëm, por jam i kënaqur edhe me rendimentin e tyre aktual. Ibra thotë se është i lodhur? Nuk ka patur kurrë një ndeshje pushim, do të habitesha nëse s’do të ishte kështu”.

Ndërkohë, gjatë ditës, në Milan Channel folën edhe brazilianët Pato e Thiago Silva, të sapokthyer pas zhgënjimit të humbjes me Francën në miqësore.

”Inter-i? Ne jemi në krye të kampionatit dhe mendojmë vetëm për kampionatin tonë. Me Ibran kam raporte shumë të mirë dhe fjalët për probleme janë tërësisht të pavërteta”, deklaroi Pato.

”Frika nuk ekziston në fjalorin tonë. Është e vërtetë që ata kanë rikuperuar disa pikë, por ne jemi ende në krye të renditjes dhe ajo që duhet të bëjmë është të mbetemi të përqendruar e të vazhdojmë në këtë rrugë”.

Top Channel