Zidane: Shumë para për të mbështetur Katarin

09/02/2011 12:50

Ish-futbollisti Zinedine Zidane pranoi se ka “fituar shumë para” për të mbështetur kandidaturën e Katarit për botërorin e vitit 2022.

Francezi deklaroi në një intervistë për ‘L’Equipe’ se këto para do të shkojnë për projekte bamirësie.

“Në media është folur për 10, 11, 12 apo 13 milionë euro. Do të jem i sinqertë: kjo është një çmenduri! Shifra që kam marrë unë nuk është as sa çereku i asaj që flitet”, tha ish-mesfushori i Real Madrid.

Zidane nuk deklaroi shifrën e saktë për shkak të një “klauzole konfidencialiteti” që ka nënshkruar në kontratën me Katarin, por tha që bëhet fjalë për “shumë para”.

“Nuk e bëra për para. Shuma do të shkojë për qëllime bamirësie. Gjithashtu kisha një borxh ndaj Katarit sepse kisha refuzuar një çek të bardhë për të mbyllur karrierën atje dhe e refuzova. Doja t’i ndihmoja për të zhvilluar sportin”, deklaroi Zidane.

Top Channel