Supermiqësoret, Gjermania barazon me Italinë

09/02/2011 23:15

Një gol i Rosit në minutat e fundit të takimit, i dha barazimin 1-1 Italisë së Prandelit ndaj Gjermanisë në ndeshjen miqësore të luajtur mbrëmjen e sotme. Ndërkohë, Franca mposhti minimalisht 1-0 Brazilin ndërsa Anglia fitoi 2-1 ndaj Danimarkës.

Në stadiumin e Dortmundit, Gjermania priti Italinë. Pjesa e parë e takimit foli për kombëtaren gjermane e cila ishte më shumë kërkuese për gjetjen e golit të avantazhit. Ky gol u shënua në minutën e 16 nga Miroslav Klose që mbylli 45 minutëshin e parë në avantazh për vendasit.

Në pjesën e dytë Italia tregohet më e qartë dhe e kërkon më shpesh golin e barazimit. Por goli i barazimit do të mbërrinte vetëm në minutën e 81 të takimit me autor të riun Xhuzepe Rosi.

Minutat e mbetura dhe koha shtesë nuk sollën ndryshim rezultati. Italia vazhdon të mbetet ‘macja e zezë’ për Gjermaninë e cila nuk fiton ndaj axurrëve që prej 21 qershorit të vitit 1995.

Supërmiqësorja tjetër, ajo mes Francës dhe Brazilit u mbyll me fitoren minimale të gjelave, 1-0. Goli i vetëm u shënua në minutën e 54 të takimit nga Benzema, ndërkohë që kombëtarja braziliane luajti për rreth 50 minuta me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Anderson Hernanes në minutën e 40.

Argjentina mundi Portugalinë me rezultatin 2-1. Kjo sfidë përmbante edhe duelin Mesi-Ronaldo, një duel që vijon në distancë në La Liga që prej nisjes së këtij sezoni.

Di Maria shënoi golin e parë për Argjentinën në minutën e 14 të takimit, por vetëm 7 minuta me vonë Ronaldo barazon gjithcka. Në minutat shtesë të takimit, Mesi me anë të një 11 metërshi vulos fitoren për Argjentinën si dhe fitoren e tij personale në duelin me Ronaldo.  

Fiton edhe Anglia e Fabio Kapelos që mundi me rezultatin 1-2 Danimarkën. Nordikët kaluan të parët në avantazh me anë të Daniel Ager, por një gol i Bent në minutën e 10 dhe një tjetër i Ashli Jong në minutën e 68 e shvleftësuan golin e tij.

Holanda fitoi 3-1 ndaj Austrisë. Tulipanët shënuan fillimisht me Shnajder, Huntelar e më pas me Kajt. Për Austrinë goli i vetëm u shënua nga Arnautovic me 11 metërsh në minutën e 71.

Top Channel