Pranë TK u zhvilluan homazhe për të nderuar regjisorin dhe skenaristin Hysen Hakani, mjeshtrin e madh të punës, të konsideruar si një nga pionierët e kinemasë shqiptare.
Të pranishëm ishin familjarë, miq, kolegë dhe politikanë si presidenti Topi, kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit Topalli dhe Ministri i MTKRS, Xhaferaj.
Miqtë dhe kolegët kujtuan bashkëpunimin me regjisorin Hakani, që realizoi filmin e parë artistik shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijet e saj” dhe disa nga filmat kult të kinemasë vendase si “Debatik”, “Toka jonë”, “Njësiti guerril” dhe “Mysafiri”.
“Kam kujtimet më të mira për Hakanin, si nëpërmjet punës, ashtu edhe si njeri që nuk i humbte shumë buzëqeshja. Ai të qetesonte me humorin e tij”, deklaroi aktorja Roza Anagnosti.
“Ai ishte student në një nga shkollat më të mira kinematografike në Francë. Në 57-ën u kthye në Shqipëri dhe me një grup kineastësh të rinj shqiptarë xhiroi filmin “Fëmijët e saj”, me të cilin u diplomua në Francë. Filmat e tij hyjnë në fondin e artë”, u shpreh pas saj regjisori Piro Milkani.
Hysen Hakani u shua në moshën 79-vjecare. Në karrierën e tij të gjatë të punës ai ka realizuar një sërë dokumentaresh, ka shkruar disa libra dhe ka realizuar filma artistikë, që janë pjesë e rëndësishme e historisë kinematografike shqiptare.
Top Channel