Kuqezinjtë humbin testin me Slloveninë

09/02/2011 22:00

Kuqezinjtë munden nga një 11 metërsh në minutat e fundit të takimit me Slloveninë,  në ndeshjen miqësore të zhvilluar në “Qemal Stafa”.

Edhe pse një emër jo i madh, Sllovenia, pjesmarrëse e kampionatit botëror Afrikë e Jugut 2010, na vuri në vështirësi në pjesën e parë, duke shfrytëzuar një formë jo të mirë të mesfushës kuqezi e cila me vështirësi arrinte të mbante topin.

Pikërisht nga një gabim i kapitenit Lala, ka ardhur edhe goli i parë për skuadrën përfaqësuese të Sllovenisë nga Novakovic në minutën e 24. Minutat në vazhdim nuk kanë sjellë asnjë ndryshim të lojës deri në përfundimin e pjesës së parë, ku Shqipëria nuk pati asnjë rast për të rrezikuar portën kundërshtare.

Me fillimin e pjesës së dytë këshillat e Kuzhes duket se zbatoheshin më mirë dhe skuadra funksionoi, sidomos në momentin e futjes në lojë të Muzakës për Duron dhe Bulkut për Lalën. Pikërisht ky i fundit, pas një kombinimi me Canën, arrin të rikthejë optimizmin e kuqezinjve me një supergol në minutën e 62-të.

Me këtë eufori skuadra jonë u përpoq të krijonte e të rrezikonte më shumë, por pa shumë forca e pa shumë këmbëngulje, por Sllovenia u paraqit serish me e rrezikshme.

Në mbyllje të takimit është Cana ai që hedh poshtë gjithcka duke shkaktuar një 11-metërsh, një rast që nuk mund të gabohej nga Dedic që shënon golin e fitores duke mbyllur këtë takim në shifrat 1-2.

Kjo ishte humbja e parë për përfaqësuesen tonë për këtë vit, ndërkohë që ndeshjen e radhës do të përballet me Bjellorusinë sërish në “Qemal Stafa”, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit Europian, 2012.

Top Channel