Kubica, mjekët optimistë për riaftësimin

09/02/2011 17:25

Katër ditë pas aksidentit që rrezikoi t’i merrte jetën pilotit të Formulës 1, Robert Kubica-s, mjekët shprehen optimistë për rikuperimin e tij të plotë.

I aksidentuar në një garë reli, polaku pësoi fraktura të shumëfishta dhe ende nuk dihet nëse do të rifitojë funksionimin e plotë të dorës së djathtë. Është e sigurt që ai do të kalojë një vit jashtë garave të Formulës 1.

Megjithatë, Ignor Rossello, kryemjeku për kirurgjinë e dorës në spitalin ku 26-vjeçari është shtruar, shprehet optimist për riaftësimin e plotë. “Operacioni doli me sukses të plotë”, deklaroi Rosello.

”Është një rezultat i shkëlqyer, edhe sepse ndërhyrja ishte e gjatë dhe shumë komplekse. Për momentin, ai ka mundur të lëvizë të pestë gishtat, kështu që ky është një lajm shumë i mirë.

Do të fillojmë pak nga pak me lëvizjet e vogla të muskujve. Rehabilitimi do të jetë i gjatë dhe i shoqëruar me ushtrime gjithmonë e pak më shumë komplekse, ditë pas dite. Ndonëse riaftësimi do të varet nga shumë gjëra, mbetemi optimistë për një rikuperim të plotë të pacientit”.

Top Channel