Një kabinet i ri qeveritar u betua përpara Mbretit Abdullah II në Jordani, gjatë pasdites së sotme.
Kabineti i vjetër u shkarkua disa ditë më parë pas protestave të fuqishme në kryeqytetin Aman, ku u shpreh pakënaqësia popullore për papunësinë, rritjen e çmimeve të ushqimit e naftës si dhe për ligjin elektoral.
Kabineti i ri prej 27 personash përbëhet nga një miks përfaqësuesish, midis të cilëve edhe sindikalistët e majtë, një ish-antar i Vëllazërisë Muslimane, partisë më të madhe opozitare në Jordani dhe një aktivist për të drejtat e grave.
Mbreti Abdullah II dëshironte një pjesëmarrje më të gjerë të Vëllazërisë në qeverinë e re, por grupimi refuzoi të bashkëpunonte në kabinetin e Kryeministrit Marouf al-Bakhit.
Pas protestave në Tunizi dhe Egjipt, Vëllazëria Muslimane dhe partitë e tjera opozitare kanë kërkuar ndryshimin e kushteturës, për t’i hequr Mbretit të drejtën për të emëruar dhe shkarkuar antarët e kabinetit.
Top Channel