Tamer Hosny, këngetar dhe aktor mjaft premtues e popullor, është një nga njerëzit më të njohur në Egjipt. Në vorbullën e zhvillimeve të fundit në vend, 33-vjecari u duk se zgjodhi të rreshtohej në krahun e qeverisë.
Pop-stari doli e u kërkoi protestuesve të largohen nga sheshi Tahrir, pasi sipas tij, presidenti Mubarak u bëri mjaft lëshime.
Njerëzit e priten shumë keq, e disa madje edhe e goditën. Por, në vend që të zemërohej me ta, Hosny është penduar për gjestin e tij, sic e tregoi qartë dhe një video e shfaqur në Youtube, ku i riu shpërthen në lotë dhe kërkon ndjesë për deklaratat e mëparshme.
“Dua të vdes sot këtu. Nuk jam i mërzitur me ata. Nuk e kuptova si janë vërtet gjërat. Më thanë ‘shko e shpëto këtë vend’ dhe unë mendova se do të shpëtoja njerëzit. E kisha gabim”, tha Hosny.
Tamer Hosny është aktualisht një prej artistëve më të kuotuar në vend dhe në mbarë botën arabe. Ai ka nxjerrë një sërë albumesh muzikore, ndërsa filmat e tij janë ata që kanë sjellë të ardhurat më të larta këtë vit.
Në krahun e protestuesve anti-qeveritarë është kthyer edhe një pjesë e mirë e shtypit të pavarur vendas, ngurrues në fillim për mënyrën sesi do të mbulohej revolta kundër qeverisë.
Njerëzit ishin të frikësuar, rrëfen Kamal Adham i Qendrës për trajnimin e gazetarëve në Universitetin Amerikan të Kajros.
“Ata kishin simpati, por edhe druheshin për vendin. Nuk e kuptonin realisht se cfarë po ndodhte. Por me ngadalë nisën ta rigjejnë ekuilibrin”, tregon Adham.
Protesta kundër Mubarak ka hyrë tashmë në javën e tretë dhe pjesëmarrësit e saj nuk japin asnjë shenjë se kanë ndërmend të tërhiqen.
Top Channel