Lampard, kapiten ndaj Danimarkës

08/02/2011 19:35

Mesfushori i Chelsea, Frank Lampard, do të jetë kapiteni i kombëtares angleze në ndeshjen e nesërme miqësore që Anglia do të luajë ndaj Danimarkës në Kopenhagen.

Lajmin e bëri të ditur trajneri i “Tre Luanëve”, Fabio Capello.

Lampard, i cili do të luajë ndeshjen e tij të 84-t me Anglinë, do të mbajë shiritin për shkak të mungesës së kapitenit Rio Ferdinand dhe zëvendëskapitenit Steven Gerrard.

“Jam shumë krenar që do të jem kapiteni i Anglisë. Jam veteran në kombëtare dhe ndeshja e nesërme do të jetë një nga momentet më të bukura të karrierës sime”, tha Lampard.

“Do të mundohem të luaj ashtu si tek Chelsea. Nuk do të ndryshoj për faktin se do të jem kapiten. Dua të jem një shembull dhe një ndikim i mirë për shokët e ekipit”, u shpreh lojtari i Chelsea.

Top Channel