Ideja e Renault, Raikkonen në vend të Kubica

08/02/2011 12:05

Aksidentimi i polakut Robert Kubica dhe pamundësia e tij për të garuar për një vit kanë detyruar skuadrën Renault që të nisë menjëherë kërkimet për një pilot të ri.

Me një pilot të dytë si rusi Vitaly Petrov, është e pamundur të mendosh për kontraktimin e Bruno Senna-s apo Romain Grosjean-it, pavarësisht se ata mbështeten nga sponsorë të fuqishëm.

Ajo që i duhet skuadrës franceze është një emër me peshë dhe cila zgjidhje mund të jetë më e mirë se ajo e ish-kampionit të botës, Kimi Raikonnen.

Një vit më parë, finlandezi la karrierën e tij në Formula 1 për t’iu dedikuar Botërorit të rally-t. Ai është në drejtimin e një makine Citroen, por marrëdhëniet e mira midis Citroen-it e Renault-it, mund të mundësojnë marrëveshjen.

Ish-piloti i Ferrari-t, McLaren-it dhe Sauber-it, Raikonnen do të ofronte garanci të qarta për Renault-in në sezonin pasardhës.

Nëse nuk do të arrihet një marrëveshje me finlandezin, 33-vjeçari Nick Heidfeld do të shndërrohej në objektivin kryesor të skuadrës franceze.

Vite të tëra në drejtimin e makinave të Formulës 1 i kanë dhënë gjermanit përvojën e mjaftueshme për të ofruar garanci si një pilot i parë.

Top Channel