ERE-CEZ, nisin diskutimet për kontratën e re

08/02/2011 08:15

Këtë javë do të mbyllet faza e parë e procesit për miratimin e kontratës së re të furnizimit me energji elektrike mes konsumatorëve dhe CEZ Shpërndarje.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka detyrimin ligjor të miratojë kontratën e furnizimit, për rrjedhojë i takon këtij institucioni të qëndrojë mbi mbarëvajtjen e punimeve.

Burime zyrtare të ERE bëjnë të ditur se brenda kësaj jave pranë Entit Rregullator do të zhvillohet një takim me përfaqësuesit e palëve të interesuara, që kanë depozituar pranë Entit komentet dhe vërejtjet e tyre, për të cilat propozojnë të konsiderohen në përmbajtjen e kontratës.

Sipas draft-kontratës, CEZ është i detyruar të sigurojë aksesin e klientit për leximin e lirë të aparatit matës në çdo kohë, si dhe aksesin online të faturës së konsumit për çdo konsumator duke garantuar konfidencialitetin e të dhënave të klientit dhe faturimit.

Sa i takon pagesës së faturës dhe detyrimeve që ka abonenti, në kontratën e re që pritet të miratohet brenda këtij muaji, thuhet se, “pas kalimit të afatit të pagesës klienti është i detyruar të paguajë një kamatëvonesë të barabartë me 0.1 për qind në ditë (nga 0.5 që është sot) për çdo ditë vonese, por jo më shumë se 50 për qind të vlerës së vetë faturës.

Top Channel