Xhaferri: Sharje sepse nuk ka projekt

07/02/2011 22:00

Ish-drejtuesi i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Arbën Xhaferri, e cilësoi krizën aktuale politike në Shqipëri si fryt i mungesës së projekteve dhe moralit politik.

Duke folur për emisinin “Shqip”, udhëheqësi historik i shqiptarëve të Maqedonisë deklaroi: “Për të gjithë shqiptarët, sidomos për ata që jetojnë jashtë Shqipërisë, ishte një gëzim i madh antarësimi në NATO dhe avancimi drejt strukturave europiane i Shqipërisë.

Këto protesta janë një hap i madh pas, duke marrë parasysh interesat jetike të Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve. Këto ngjarje pengojnë procesin dhe dëmtojnë shumë rëndë imazhin.

Për ne që jetojmë këtu, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe imazhi, por për Europën Perëndimore, imazhi është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Të huajt, me argumentet e tyre, shpesh herë banale, na kanë treguar gjëra që ne i dimë shumë mirë. Vërejtjet e tyre nuk janë as politike dhe as gjeopolitike, por në nivel pedagogjie. Ata thjesht na tregojnë se çfarë është edukata.

Më vjen zorr kur dëgjoj formulimet e kota, që ne i dimë, por nuk ndryshojmë dot qëndrimet. Ndryshimi është i lehtë, por sharjet janë bërë një retorikë që zëvendësojnë sjelljen normale.

Shumica e familjeve në Shqipëri nuk e përdorin këtë lloj gjuhe, kanë shumë më tepër respekt për njëri-tjetrin, por kur vjen çështjet tek politika, njerëzit xhindosen shumë thjeshtë.

Për mua është e qartë që në gjendjen aktuale, sharjet kanë zëvendësuar mungesën e projekteve reale, mungesën e një oferte reale politike. Mungon vizioni ekonomik e social, sajohen lloj lloj defektesh të kundërshtarëve.

Kështu mendojnë se do të grumbullojnë më shumë vota dhe do të fitojnë, por unë mendoj se në këtë mënyrë nuk fitohen zgjedhjet. Ajo që fitohen janë vetëm mandate për të vazhduar satanizimin e njerëzve”.

Duke bërë një analogji me rajonin, Xhaferri krahasoi situatën aktuale politike në Shqipëri me ato të republikave të ish-Jugosllavisë.

”Edhe në luftën që u bë, ushtritë nuk pësuan shumë humbje. Në konfliketet e shpërbërjes së Jugosllavisë, ata që u vranë ishin njerëzit e paarmatosur. Edhe sot, ata vazhdojnë të jenë viktimat e politikës në Shqipëri dhe kudo në Ballkan.

Në mes të konfliktit, pati njerëz që kanalizuan ndienjat shumë-vjeçare, persona që kanalizuan urrejtjen e ruajtur në kujtesën kombëtare, për të destabilizuar gjendjen dhe për të krijuar luftë.

Aktualisht, në çdo pjesë të Ballkanit sheh fenomene qesharake. Konceptet për shtet dhe identifikim kombëtar në Maqedoni po sjell identifikimin me një mesjetë të vjetër. Ndërtohen sheshe romantike me vizionin e së shkuarës dhe kjo bëhet sepse nuk ka një vizion ekonomik për vendin, për të dalë nga kriza ekonomike e Maqedonisë.

Serbia ka marrëzitë e veta. Përshembull, në Nish do të ndërtohet gjatë këtij viti një përmendore e madhe e Konstandinit, njeriut që legalizoi krishtërimin në Perandorinë Romake. Edhe ata janë pushtuar nga kjo sëmundje e krijimit të miteve.

Marrëzira ka edhe në Bosnje e Kroaci në fushën e ekonomisë, ku Kryeministri i dikurshëm Sanader gjendet sot në burg. Këto janë fenomen papjekurie morale e demokratike.

Popujt e Ballkanit nuk janë mësuar me kuptimin e vërtetë të fjalës demokraci dhe ata e marrin atë në mënyrë se si u është ofruar”.

Sipas Xhaferrit, ndryshimi ynë me Europën është që nuk jemi në gjendje të bëjmë një debat të qetë, të kalojmë ngërçet duke parë interesin e përgjithshëm.

”Në Shqipëri, çdo problem mund të shndërrohet në një krizë”, deklaroi Xhaferri. “Belgjika ka dekada problemesh mes frankofonëve dhe flamandëve, por asnjëherë nuk është vrarë një njeri.

Demokracia në Europë ka një traditë të madhe, por krizat paraqiten në formë të kulturuar debatesh dhe krahasimi interesash”.

Xhaferri ofroi një zgjidhje krejt origjinale për daljen nga kriza. “Shpresa e vetme për Shqipërinë është gjetja një morali politik. Mund të duket një qasje naive, por në Shqipëri është treguar prej kohësh se politika morale nuk mund të zbatohet.

Zgjidhja e vetme për vendin është gjetja e një morali, e një politike që do të respektojë disa parime, në mënyrë që të shndërrohet në një udhërrëfyese të vërtetë të Shqipërisë.

Në vendet ku jetojnë shqiptarë, sinqeriteti duhet të jetë maksimal, sepse kemi vuajtur shumë më tepër se të tjerët”.

Në fund, Xhaferri lëshoi gjithsesi një mesazh optimizmi: “Shqipëria dhe Kosova kanë një potencial të shkëlqyer zhvillimi dhe raportin ideal midis popullsisë dhe territorit.

Jam i bindur që demagogjia nuk mund të vazhdojë pa fund, mund të vazhdojë edhe një mandat, por është e qartë që e ardhmja do të jetë patjetër e mbarë për kombin”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA