Shqipëria, Aleanca e shqetësuar

07/02/2011 19:55

Aleanca Euroatlantike është seriozisht e shqetësuar për zhvillimet e fundit në Shqipëri, që pas 21 janarit.

Këtë e pranoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rassmussen, kur u pyet mbi këtë cështje, në cilësinë e përfaqësuesit të Aleances por dhe si një ish-kryeminister, sesi do e kishte menaxhuar ai një situatë të tillë nëse 4 qytetarë do të ishin vrarë gjatë një proteste në Danimarkë.

“Unë mund t’ju them se ky nuk do të ishte rasti në Danimarkë. Nuk besoj, mendoj se pyetja është hipotetike. Por, seriozisht, unë jam i shqetësuar për situatën në Shqipëri. Jam informuar për atë cfarë po ndodh në Shqipëri. Sinqerisht, shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetëve. Dënoj fort ushtrimin e dhunës. U bëj thirrje të gjitha partive që të kërkojnë zgjidhje të paqme për mosmarrëveshjet politike. Unë shpresoj se do të shohim një zhvillim normal të jetës politike në Shqipëri”, deklaroi Rasmussen.

Ai sugjeroi se dialogu konstruktiv duhet të jetë mjeti përmes të cilave duhet të zgjidhen mosmarrëveshjet dhe theksoi se në vendet e vogla, mbrojtja e qytetarëve është thelbësore.

“Besoj se dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës në vend është rruga e duhur për të ecur përpara. Përsa i takon pyetjes suaj, mbi eksperiencën time si ish-kryeministër i një vendi të vogël, mendoj se është me rëndësi thelbësore që vendet e vogla të kenë dhe të sigurojnë një konsensus të gjerë për cështjet kryesore politike, vecanërisht për cështje që lidhen me mbrojtjen, sigurinë dhe politikën e jashtme, dhe, në këtë periudhe të vështire ekonomike, edhe kur shtrohet cështja e bërjes së politikave ekonomike. Nuk do të ndërhyj në politikën e brendshme të Shqipërisë, por u kërkoj të gjitha partive të përfshira që të gjejnë një zgjidhje të paqme për të kapercyer mosmarrëveshjet e fundit”, tha Rasmussen.

TCH: Sekretar i përgjithshëm, e respektoj vendimin tuaj për të mos ndërhyrë në cështjet e brendshme të Shqipërise. Por, përfaqësues të institucioneve e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shprehen shpesh se Shqipëria duhet të sillet si vend anëtar i NATO-s. Meqenëse, kjo po thuhet prej 3 javësh, e ndoshta në Shqipëri nuk është kuptuar mirë se cfarë do të thotë. A keni mundësi të na shpjegoni se si sillet një vend anëtar i NATO-s?

“Më lejoni t’ju nënvizoj se selia qendrore e NATO-s në Bruksel nuk mund të vlerësojë situatën politike brenda një vendi anëtar të sajin. Ne nuk ndërhyjmë në politikën e brendshme. Pasi e them këtë, ne gjithashtu në anën tjetër presim që të gjitha vendet anëtare të respektojnë parimet themelore mbi të cilat NATO është themeluar, si liritë e individit, respektimi i të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës, e besoj se të gjitha qeveritë janë në dijeni për këtë. Ndaj, pres që ky të jetë rasti edhe për Shqipërinë”, u përgjigj Rasmussen.

Këtë qëndrim sekretari i përgjithshëm i NATO-s e dha gjatë një konference për shtyp ku njoftoi për ndërtimin e selisë së re të NATO-s, e cila do të kushtojë 1 miliard euro.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA