
Joseph Blatter, presidenti i FIFA-s, theksoi se Botërori i vitit 2022 në Katar do të zhvillohet në verë dhe jo në dimër siç kërkonte Komiteti Ekzekutiv i organizmit drejtues të futbollit.
“Për momentin nuk po diskutohet më për këtë çështje. Gjithçka është përgatitur për në verë dhe 64 ndeshjet e botërorit të vitit 2022 do të luhen në Katar”, u shpreh Blatter për ‘BBC’.
Blatter shpjegoi se një delegacion nga vendi arab e kishte vizituar në Zyrih për t’i shprehur gadishmërinë e zhvillimit të botërorit në verë.
Zvicerani kishte deklaruar më parë se Botërori i Katarit mund të zhvillohej në janar për shkak të temperaturave shumë të larta të vendit mikpritësit gjatë muajve të verës.
Në muajt qershor dhe korrik, kur zhvillohet faza finale e botërorëve, temperaturat në Katar i kalojnë 40ºC.
Në favor të zhvillimit të Kupës së Botës 2022 në dimër kanë qenë edhe Franz Beckenbauer, Michel Platini dhe FIFPro (Federata Ndërkombëtare e Futbollistëve Profesionistë).
Top Channel