Në orën 18 pa 20 minuta, plot gjashtë orë pasi gjykata e Tiranës vendosi arrest shtëpiak edhe për tre nga të pandehurit e cështjes “Gërdeci”, të tre ata kanë lënë njëri pas tjetrit brenda pak minutash qelitë e paraburgimit tek 313-a.
I pari që la qelitë ishte Sokol Ngjeci, të cilin e prisnin djemtë e tij. Ish-mbikëqyrësi i “Meico”, sikurse edhe të tjerët nuk bëri asnjë koment për mediat. “Ju lutem më lini të lirë”, ka thënë ai.
I shoqëruar nga një punonjës i burgut doli më pas edhe Mihal Delijorgji, i cili është shfaqur për mediat pas tragjedisë së Gërdecit vetëm dy herë.
I vetmi imazh i tij është ai kur ish-administratori i “Albademil”, Delijorgji, shfaqet duke qeshur në dalje të gjykatës së Tiranës, atëherë kur kjo i dha masën e sigurisë “arrest me burg”.
Përkundër këtij imazhi, ndoshta për shkak të zgjedhjes së tij për të mos dalë personalisht në proces por për t’u përfaqësuar vetëm nga avokatët e tij, Delijorgji u shfaq për pak minuta i hutuar, ndoshta më shumë edhe për shkak të riftimit të lirisë.
Pas tij doli edhe ish-drejtori i kompanisë “Meico”, Ylli Pinari, i veshur si gjithmonë me kostum zyrtar, i cili përgjatë procesit ka qenë i pranishëm në sallë dhe tepër korrekt në cdo seancë.
Mirëpo pas arrestit shtëpiak që kanë fituar të katër të arrestuarit e këtij gjyqi me 29 të pandehur, mbetet për t’u parë nëse do të jenë ata të pranishëm në vijim në gjyqin i cili mund të thuhet se është ënde në fillim të rrugës qe ka për të bërë.
Top Channel