Forcimi i euros, nis efekti domino

06/02/2011 08:00

Shqipëria ka hyrë në një situatë pasigurie me nivelin e çmimeve të artikujve bazë, që sa vijnë dhe rriten.

Në fillim u duk se në dhjetor, produktet e konsumit pësuan rritje, duke u nxitur nga kërkesa e lartë që shoqërohet në situata festash, por kur ka kaluar më shumë se një muaj, duket se niveli i çmimeve po merr “për kot”.

Tregtarët nuk mendojnë se është një sjellje e nxitur nga nevoja për të spekuluar sesa nga presioni i jashtëm. Shqipëria është ndër vendet me nivel të lartë konsumi dhe rritja e çmimeve ndihet më tepër, sidomos te familjet e varfra. Gati 85 për qind e ushqimeve vijnë nga jashtë, të blera me valutë të huaj, kryesisht euro, që sot kushton mbi 140 lekë.

Efekti domino ka nisur të ndihet te të gjithë artikujt bazë, por edhe të shërbimet (këstet e kredive). Në çdo drejtim vërehet shtrenjtim i ushqimeve, duke filluar me sheqerin, vajin, orizin, e më pas me perimet, që edhe pse në kulmin e sezonit, ofrohen në treg me çmime të larta 20-30 për qind (lakra, preshi etj.), e deri së fundmi me karburantet, rreth 13 për qind. Prodhimi vendas, jo vetëm që nuk plotëson as nevojat më minimale të konsumit, por ofron cilësi të dobët të produkteve. Tregtarët e shumicës pranojnë krizën që ka prekur vendin dhe sugjerojnë marrjen e masave, pasi nuk mund të vazhdohet pa pasur një linjë të qartë strategjie zhvillimi.

Forcimi i euros në nivele rekord të 7 viteve të fundit po jep shenja negative te produktet ushqimore, por edhe te materialet bazë të sektorin e ndërtimit, si dhe te veshmbathjet. Për t’i shpëtuar ndikimeve negative të euros shumë biznese po i ofrojnë mallrat dhe shërbimet me valutën europiane, duke lënë mënjanë monedhën tonë, Lekun. Një ditë më parë, ekspertët e fushës së financave ndanë pikëpamje të ndryshme, ku thuhej se shtrëngimi i euros ishte pasojë e pasigurisë në vend, por edhe i spekulimeve.
Sakaq, lajme të këqija vijnë për familjet e varfra. Çmimi i bukës pritet të rritet sërish, për shkak të situatave jokomode që ndodhen vendet prodhuese.

“Nga fundi i dhjetorit deri më sot kemi rritje me 40 dollarë të cilën nuk e kemi nxjerrë në treg, duke pasur rezerva të cilat deri në fund të muajit mbarojnë. Atëherë ne do të jemi të detyruar të rrisim çmimet”, është shprehur Dimitrious Thomoglou, prodhues mielli. Krahasuar me vitin e kaluar çmimi i grurit në bursa është dyfishuar. Vetëm gjatë muajit të kaluar, një ton grurë është shtrenjtuar me 40 dollarë. Por shqetësimet më të mëdha kanë të bëjnë me të ardhmen.

“Parashikimet nuk janë të mira. 80 për qind e analistëve thonë se Rusia ka gjasa të mos eksportojë as këtë vit. Ndërkohë që edhe Franca pritet të bëjë ndalim teknik të eksporteve. Kështu që duhet të jemi gati edhe një vit po me këto çmime, të cilat, sipas mendimit tim, do të vazhdojnë të rriten”, theksoi Thomoglou.

Top Channel