Bundesliga, Bayern humb në Këln

06/02/2011 08:20

Bajerni i Mynihut gabon rëndë në ndeshjen e radhës në kampionatin gjerman.

Skuadra bavareze është mundur nga Këlni në fushën e këtij të fundit me rezultatin 2-3 duke humbur terren në renditjen e përgjithshme.

Ekipi i drejtuar nga Luis Van Gal u paraqit me dy fytyra në këtë takim. Pjesa e parë ishte më e mirë për bavarezët që morën kryesimin dhe e çuan rezultatin në 2-0. Mario Gomes në minutën e 23 shënoi golin e parë për skuadrën kampione të Gjermanisë, ndërkohë që në fundin e saj Alltëntop e dyfishoi.

Në 45 minutat e dyta, Këlni ndryshoi totalisht duke zhvilluar një lojë më të mirë. Në minutën e 10 të kësaj pjese Klemens shkurtoi diferencën e golave në 2-1 duke rihapur gjithçka. Vetëm pak minuta më vonë, Novakoviç vuri ekuilibrin duke barazuar në 2-2.

Gjithcka u përmbys për Bajernin e Mynihut që filloi të gabojë shumë në mbrojtje. Nga këto gabime përfituan sërish futbollistët e Këlnit që shënuan edhe golin e tretë që rezultoi dhe si goli i fitores.

Nuk shkoi mirë as për Bajer Leverkusen kjo javë pasi u mund nga Nurenbergu me rezultatin 0-1. Goli i Ajgler bëri që skuadra e aspirinave të krijojë një diferencë me Dortmundin prej 12 pikësh.

Në ndeshjet e tjera, Hanovëri fitoi me Volfsburgun 1-0, ndërsa Mainci barazoi me Verder Bremen 1-1.

Top Channel