Torres: Unë nuk jam një tradhëtar

05/02/2011 10:00

Blerja më e shtrenjtë brenda kampionatit anglez, Fernando Torres, iu përgjigj akuzave se është një tradhëtar, pas largimit të tij nga Liverpool-i.

Spanjolli kaloi tek Chelsea në 31 janar, pasi “të kuqtë” pranuan një ofertë prej 50 milion stërlinash. Tifozët e Liverpool-it reaguan duke i djegur publikisht fanellën dhe duke lëshuar një mori të sharash ndaj tij në forumet në internet.

Si për ironi të fatit, sulmuesi do të debutojë me fanellëve e bluve pikërisht përballë klubit të tij, nesër në “Stamford Bridge”. Torres deklaroi për mediat angleze: “Mendoj se është e padrejtë të më quash tradhëtar.

Unë nuk do të flas kurrë keq kundër lojtarëve apo stafit të Liverpool-it. Kalova tre sezone shumë të bukur në skuadër, shënova shumë gola dhe bëra që klubi të fitonte shumë para.

Jam shumë i lumtur për të gjitha këto, por më duhet të mendoj edhe për karrierën time si futbollist dhe kalimi tek Chelsea është e qartë që ishte një hap përpara për mua”.

Në fjalën e tij, Torres shtoi gjithashtu se ka marrë mbështetjen e kapitenit Gerrard për këtë lëvizje, ndërsa theksoi se nuk do të festojë, nëse do të shënojë një gol kundër Liverpool-it.

Top Channel